Tiranë, përfundon rikonstruksioni i plotë i rrugës tregtare “5 Maji”

30/06/2016 00:00

Rruga “5 Maji”, e cila lidh zonën e Medresesë me tregun industrial të kryeqytetit, është rikonstruktuar plotësisht me trotuare të reja, ndriçim dhe sinjalistikën e nevojshme. Kjo rrugë ishte lënë prej vitesh në një gjendje të mjerueshme.

Punimet e realizuara u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se punimet në infrastrukturë jo vetëm që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, mjeteve dhe mallrave, por i japin një vlerë tjetër pronës.

“Falenderoj ndërmarrjen tonë, e cila vetëm me punonjësit dhe mjetet e bashkisë arriti të sistemonte të gjithë bllokun tregtar rreth Medresesë. Ky investim i ka rritur vlerën pallateve dhe gjithë bizneseve që operojnë në këtë zonë. Më vjen mirë që edhe Medreseja, në këtë muaj të Ramazanit, ka një pamje më të mirë. Në këtë mënyrë i japim dinjitet hapësirave tona publike”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se statistikat e zyrave imobiliare tregojnë se vlera e pronës është rritur mesatarisht 15%, por në disa lagje të Tiranës kjo shifër shkon deri në 30% falë investimeve të bashkisë.

Top Channel