Ndryshon ligji, më shumë lehtësi për të huajt që investojnë në Shqipëri

26/06/2016 00:00

Qeveria ka forcuar kriteret për pajisjen me leje të përhershme qëndrimi për biznesmenët e huaj që investojnë në Shqipëri. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon ligjin ekzistues për të huajt.

Sipas draftit, një biznesmen i huaj mund ta përfitojë lejen e përhershme të qëndrimit në Shqipëri vetëm nëse ka investuar të paktën dy milionë euro dhe ka hapur minimalisht 100 vende të reja pune. Në ligjin ekzistues, shuma e kërkuar e investimit është një milion euro, ndërsa numri i vendeve të punës vetëm 10 vetë.

Por, ndërsa shtrëngon kërkesat për lejen e përhershme të qëndrimit që u jepet biznesmenëve, drafti e bën më të lehtë për kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri të transferojnë staf nga jashtë, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për marrjen e lejeve.

Paralelisht, projektligji i ri për të huajt krijon për herë të parë mundësinë që profesionistët e huaj të pavarur të ofrojnë shërbime në Shqipëri. Këta janë personat fizikë, të regjistruar si të vetëpunësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, por që kanë një kontratë për ofrimin e shërbimeve me një përfitues në Shqipëri.

Një tjetër ndryshim në ligj është ai që heq tarifën 10 mijë lekë për studentët me përkatësi etnike shqiptare, të cilët kryejnë studimet në Shqipëri. Qeveria thotë se nevoja e këtyre ndryshimeve ka lindur për shkak të mangësive dhe mospërputhjeve të ligjit aktual për të huajt.

Top Channel