Të amnistuar, por s’i fal Prokuroria. 3.000 në pritje të urdhrit

20/06/2016 00:00

Nga 7.000 të dënuar në shërbim prove, të deklaruar si përfitues të amnistisë së vitit 2015, gati 3.000 prej tyre janë ende duke pritur të mbërrijë në zyrat e Shërbimit të Provës urdhri i pushimit të çështjes nga Prokuroria.

Kjo do të thotë se kjo kategori të dënuarish vijojnë të paraqiten para specialistëve, derisa në këto zyra të vijnë urdhërekzekutimet nga organi i akuzës.

Gjatë një interviste për Top Channel, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa shpjegoi se prej ligjit të amnistisë kanë kaluar 6 muaj, ndërsa procesi konsiderohet i ndërlikuar për shkak të identifikimit të kësaj kategorie të dënuarish që llogariten si përfitues.

Por sipas ligjit, Shërbimi i Provës nuk është institucioni që ka kompetencat për ta deklaruar të mbyllur përfitimin nga ligji i amnistisë, duke qenë se këto janë të drejta të Prokurorisë.

“Për fat të keq mbetet ende e lartë shifra, jemi diku te 44 për qind të totalit, të korrespondencës së përcjellë nga ana e shërbimit të provës të identifikimit apo evidentimit të të gjithë përfituesve potencialë nga amnistia. Që të konsiderohet procesi i përfunduar, duhet që të kemi edhe aktin përfundimtar nga ana e organit të Prokurorisë, që është e ngarkuar me ligj për ekzekutimin e vendimeve penale”, tha më tej Ilir Qafa.

Prokuroria, nga ana e saj deklaron se për këtë vonesë ka ndikuar mbingarkesa.

Top Channel