Markat shqiptare, 20% më lirë në Zyrën e Patentave Europiane

16/06/2016 00:00

Bizneset e vogla dhe të mesme do mund t’i regjistrojnë markat në rang europian me vetëm 20 për qind të kostos.

Presidenti i Zyrës Europiane të Patentave, Benoit Battistelli u takua në Tiranë me ministren e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, me të cilën ra dakord për lehtësirat që mund të përfitojë biznesi shqiptar.

“Ne propozojmë të nënshkruajmë një marrëveshje nëpërmjet të cilës do të inkurajomë këto ndërmarrje, përmes asistencës tonë, në përfshirjen e asaj që njihet si garantim i patentës, duke paguar vetëm 20% të kostos së përgjithshme”, deklaroi Battistelli.

“Do të kemi mbështetje të plotë që bizneset shqiptare të kenë të gjitha mundësitë për të përfituar nga lehtësitë që ofron Zyra Europiane e Patentave”, tha nga ana e saj Ekonomi.

Regjistrimi i markave dhe patentave shihet si mjet i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja në vend. Është e rëndësishme që të rritet ndërgjegjësimi i biznesit dhe universiteteve në Shqipëri, mbi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të produkteve dhe shpikjeve të tyre.

Top Channel