Hollande, apel kundër grevave në prag të “Euro 2016“

10/06/2016 10:05

Ndërsa mungojnë vetëm pak orë nga nisja e Kampionatit Evropian të futbollit, presidenti François Hollande paralajmëron sindikatat të mos pengojnë aktivitetin me greva e protesta. Franca është mbërthyer nga aksioni industrial kryesisht për reformën e ligjit të punës dhe një grevë e drejtueseve të trenave mund të prekë ndeshjen e pare të së premtes.

Drejtuesit po kërcënojnë të pezullojnë një linjë që çon në stadiumin “Stade de France”, në dalje të Parisit, ku do të zhvillohet ndeshja mes Francës dhe Rumanisë. Tifozët që kanë mbërritur në Paris dhe qytete të tjera këtë javë u ndeshën me pamjet dhe erën e pakëndshme të më shumë se 3 mijë ton plehrave të pagrumbulluara, pasi sindikatat tregtare kishin bllokuar punën në vendet ku bëhet djegia e tyre.

Vendi vazhdon të jetë gjithashtu në gjendje alarmi që prej sulmeve xhihadiste në muajin nëntor në Paris dhe ende nuk ka rimarrë veten nga përmbytjet më të rënda në dekada, që shkaktuan dëme të mëdha. Kreu i Elizesë tha se çdokush e ka për detyrë të mundësojë mbarëvajtjen e kompeticionit pa incidente.

“Ata që po marrin pjesë apo po organizojnë aksionet duhet të tregohen të përgjegjshëm, në mënyrë që kjo ngjarje e madhe të jetë një festë e përbashkët popullore. Nëse shteti duhet të bëjë detyrën e tij, dhe ju siguroj që do ta bëjë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha Hollande.

Ministri i Sporteve, Thierry Braillard i bëri thirrje sindikatave të mendojnë për tifozët e futbollit. Por, duket se sindikatat nuk kanë ndërmend të ndërpresin grevën deri në përmbushjen e kërkesave. Një drejtues treni dhe sekretar i përgjithshëm i sindikatës CGT deklaroi se nuk ishin ata që kishin vendosur që Evropiani të zhvillohej në një moment të tillë aksioni social.

Më shumë se 90 mijë policë, ushtarë dhe roje private do të mobilizohen për të siguruar mbarëvajtjen e ngjarjes sportive, ndërsa miliona tifozë pritet të vizitojnë 10 qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet.

Top Channel