Mburoja antiraketore në Rumani, Putin: Do të neutralizojmë kërcënimet amerikane

13/05/2016 00:00

Aktivizimi i mburojës antiraketore në Europë nga Shtetet e Bashkuara përbën një garë të re armatimi, ka bërë të ditur Presidenti rus Vladimir Putin këtë të premte, duke u angazhuar se do të rishikojë buxhetin e shpenzimeve të mbrojtjes për të neutralizuar “kërcënimet e lindur rishtazi” ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara publikuan një ditë më parë planin për aktivizimin e bazës së periudhës sovjetike antiraketore në Rumani, duke e argumentuar se ky veprim ndiqej si pasojë embrojtjes kundër raketave të Iranit apo të shteteve të tjera të papërgjegjshme.

Por duke iu drejtuar zyrtarëve më të lartë të Mbrojtjes dhe të industrisë së armatimeve, Putin tha se sistemi nuk ka qëllim tjetër veçse të sfumojnë arsenalin bërthamor rus.

“Ky nuk është një sistem mbrojtjeje, por është pjesë e potencialit strategjik bërthamor të Shteteve të Bashkuara të sjellë deri në periferi. Në këtë rast, Europa Lindore është thjesht një periferi e planeve strategjike amerikane”, tha Putin.

“Deri më sot, ata që kanë ndërmarrë vendime të këtilla kanë jetuar në qetësi dhe siguri. Por, teksa të tilla elemente të mbrojtjes nga raketat balistike janë sjellë deri në këtë pikë, ne jemi të detyruar të mendojmë sesi të neutralizojmë kërcënimet në rritje ndaj Federatës Ruse”, tha ai.

Ai shtoi se, shoqëruar dërgimin në Mesdhe të luftanijeve amerikane që mbajnë raketa “Aegis” dhe elementë të tjerë antiraketorë në Poloni, baza në Rumani ishte “thjesht një tjetër hap për të kërcënuar sigurinë ndërkombëtare dhe për të rinisur një tjetër garë armatimi”.

Rusia gjithsesi, – garantoi Putin, – nuk do të përfshihet në këtë garë. Por, ajo do të vazhdojë armatosjen e ushtrisë dhe marinës së saj dhe të shpenzojë të gjitha fondet e miratuara në këtë fushë, në mënyrë që “ruhet balanca aktuale e forcave strategjike”.

Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Work deklaroi gjatë së enjtes se mburoja antiraketore nuk do të përdorej kundër ndonjë kërcënimi të ardhshëm raketor rus. Frank Rose, zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit për kontrollin e armëve, paralajmëroi gjatë kësaj kohe se raketat balistike të Iranit mund të godasin edhe pjesë të Europës, përfshi Rumaninë.

Ndërkohë, Putin i është kundërpërgjigjur duke thënë se, perspektiva e një kërcënimi bërthamor nga Irani nuk duhet të merret më në konsideratë, pasi një gjë e tillë po përdoret nga Uashingtoni si një shfajësim për të zhvilluar mburojat e saj antiraketore në Europë.

Top Channel