Tjetër aksident me vdekje në Vlorë

11/05/2016 08:45

Rreth orës 03:35 të ditës së mërkurë ka ndodhur një aksident rrugor në lagjen “Kushtrimi” të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve pranë vendit të quajtur “Ish-Gjykata e Vjetër”, ku një motor, me drejtues shtetasin Edison Kosova, 30 vjeç, është përplasur me një furgon, me drejtues shtetasin Rami Rama, 56 vjeç.

Si pasojë e këtij aksidenti është plagosur rëndë drejtuesi i motorit, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal dhe pas përpjekjeve për ta shpëtuar në sallën e reanimacionit, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në ambientet e spitalit.

Policia ka shoqëruar menjëherë drejtuesin e furgonit, për të cilin po kryhen procedurat për arrestimin e tij.

Burime nga policia bëjnë me dije se drejtuesi i motorit 30-vjeçari Edison Kosova ka ndërruar jetë sot në spital nga goditja që kishte marrë në kokë.

Top Channel