Aksident automobilistik në Bulqizë, dy të plagosur

10/05/2016 00:00

Një aksident automobilistik me pasojë dy të plagosur ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Bulqizë-Fushë-Bulqizë, në vendin e quajtur Vajkal, ku një makinë tip Audi me targa të Kosovës, 01-467-FG, ka dalë nga rruga.

Sipas policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së ditës së martë, ku drejtuesi i i automjetit Besmir Zeneli, 27-vjeç, bashkë me nënën e tij po udhëtonin  në drejtim të Tiranës, ku gjatë udhëtimit, në vendin e quajtur Vajkal ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga, ku dhe ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës.

Fillimisht askidenti është pikasur nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë lokale të Bulqizës. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, që ka bërë të mundur dërgimin e dy të plagosurve drejt spitalit të Bulqizës, ku dhe u është dhënë ndihma e parë.

Sipas mjekëve të këtij spitali, mësohet se drejtuesi i automjetit, Besmir Zeneli, si pasojë e frakturave të rënda është dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.

Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e drejtuesit të automjetit. Shpesh herë ky aks ka qenë burim aksidentesh deri në humbje jetësh, pasi përgjatë segmentit rrugor Bulqizë-Peshkopi mungojnë sinjalistikat në rrugë.

Top Channel