Sirianët imitojnë shqiptarët, marshim në pyje për të kaluar kufirin

25/04/2016 14:40

Bllokimi i zgjatur në kufirin e Greqisë veriore dhe perspektiva e kthimit në Turqi i ka bërë emigrantët atje që t’i rikthehen idesë së kërkimit të shtigjeve të reja për të vazhduar rrugëtimin drejt Europës perëndimore.

Grupe refugjatësh, mes të cilëve edhe fëmijë, thotë Reuters, tani presin të bjerë nata e të kalojnë përmes pyjeve duke iu fshehur kësisoj autoriteteve, deri sa të mbërrijnë pranë pjesëve të vijës kufitare që nuk janë rrethuar me tela me gjemba.

Agjencia prestigjoze e lajmeve sjell shembullin e një grupi prej 70 personash, i cili kaloi në Maqedoni nga Greqia jo më larg se mbrëmjen e së shtunës. Udhëtimi i tyre nga kampi i Idomenit deri në kufi ishte gati 4 orë, kohë gjatë së cilës përshkuan në këmbë 20 kilometra.

Shumë emigantë në këtë kamp vazhdojnë të mbeten të vendosur për të kërkuar e gjetur pikë të dobëta përgjatë kufirit, me qëllimin që të kalojnë më tej në vendet e Ballkanit e të ndjekin pas kësaj rrugën e preferuar.

Një sirian nga Damasku, i identifikuar vetëm si Eyas, tha për “Reuters” se do të përpiqet të kalojë nga Shqipëria.

“Ekziston ndonjë shans për të hyrë në Maqedoni, por çështja është se ushtria maqedonase i kthen njerëzit mbrapsht”, shpjegoi ai, duke lënë të kuptohet se opsioni i Shqipërisë tingëllon më i mirë në këtë rast.

Disa emigrantë mundohen t’ia arrijnë vetë, ndërsa të tjerë, për kalimin e kufirit, u paguajnë trafikantëve 350 deri në 600 dollarë.

Top Channel