Aleksandar Vuçiç po shkon drejt një tjetër mandati si Kryeministër i Serbisë, pasi rezultatet e para të numërimit të votave, e nxjerrin atë bindshëm fitues.

Partia Progresive e Serbisë, e drejtuar nga Vuçiç, rezulton të ketë marrë më shumë se 51 për qind të votave, çka përkthehet në 154 vende në Parlament, duke i dhënë mundësinë që të krijojë i vetëm qeverinë.

Në vend të dytë renditet Partia Socialiste e Serbisë, e drejtuar nga Ivica Daçiç me 12.1 përqind të votave.

Gjithashtu në Parlament hyjnë dhe ultranacionalistët e drejtuar nga Vojsllav Sheshel, të cilët arrijnë të marrin 7.7 përqind të votave, të përkthyera në 23 karrige në Parlament.

Në zgjedhjet parlamentare patën të drejtë vote 6.7 milionë votues, ndonëse Serbia ka 7.3 milionë banorë.

Këto zgjedhje kanë pasur një karakteristikë të re: pjesëmarrje më të madhe të grupeve të djathta dhe nacionaliste, prej të cilëve pritet të hyjnë disa në Parlament.

Për Serbinë dhe të ardhmen e saj këto zgjedhje ishin mjaft të rëndësishme, për shkak se është thënë që do të bëhet një diferencim i qartë: me Europën apo me Rusinë. Edhe pse Serbia ka marrëdhënie mjaft të mira me bllokun, që shpesh bie në konflikt me integrimin në Bashkimin Europian.

Top Channel