Maqedoni, tubime paralele mes përkrahësve të pushtetit dhe të opozitës

21/04/2016 00:00

Mbështetësit e opozitës dhe të pushtetit kanë protestuar paralelisht nëpër rrugët e Shkupit. Mijëra përkrahës të partisë së Nikola Gruevskit u tubuan para Parlamentit, për të mbështetur vendimin për zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor.

Ata vlerësojnë se, zgjedhjet do t’i japin fund krizës politike dhe skenarëve ogurzi të opozitës maqedonase për vendin.

“Krizën politike në Maqedoni mund ta tejkalojmë vetëm përmes zgjedhjeve. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata që protestojnë në anën tjetër, nëse ia duan të mirën vendit”, tha një prej protestuesve proqeveritarë.

Nga ana tjetër, protestuesit antiqeveritarë u tubuan para ndërtesës së Prokurorisë Speciale, për t’i dhënë mbështetje këtij institucioni, që po heton zyrtarët qeveritarë të përfshirë në skandale.

Prania e madhe e forcave të rendit ka kufizuar marshimin e demonstruesve, që kërkojnë dorëheqjen e Presidentit George Ivanov dhe anulimin e vendimit të tij për amnisti.

“Protestojmë, sepse na detyrojnë të heshtim për atë që na dhemb. Protestojmë, për të mos lejuar që kriminelët të amnistohen”, tha një protestues antiqeveritar.

Forcat e shumta të policisë kanë bllokuar disa rrugë të Shkupit, për të mos lejuar që të takohen përkrahësit e pushtetit dhe të opozitës, si dhe për të shmangur përplasjet midis tyre.

Top Channel