Përkeqësimi i situatës në Maqedoni, pas vendimit të Presidentit George Ivanov për amnisti, po shton gjithnjë e më shumë shqetësimin e qytetarëve për ardhmërinë e vendit.

Të martën, mijëra protestues në disa qytete të Maqedonisë dolën sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Ivanovit. Ata thonë se nuk do të tolerojnë më sjelljet e papërgjegjshme të drejtuesve të shtetit.

“Shteti po sillet në një situatë para kolapsit dhe nuk e dimë sesi do të përfundojë kjo situatë. Politikanët tanë duhet të kenë vizion për perspektivën e këtij vendi dhe jo të sillen kështu siç bëjnë pushtetarët tanë”, tha një qytetar.

Gjatë marshimit, disa nga demonstruesit kanë qëlluar me vezë dhe bojë fasadën e Ministrisë së Drejtësisë, kurse disa prej tyre i kanë ftuar pjesëtarët e policisë t’i bashkohen protestës.

Qytetarët e revoltuar, përmes brohoritjeve në kor i kanë dërguar porosi Ivanovit se, nuk do të lejojnë që t’i falë kriminelët.

“Fillimisht le të burgosen kriminelët, pastaj shkojmë në zgjedhje. Kjo është strofull e kriminelëve. Parlamenti është vendi që mbledh kriminelët. Vetëm burg për kriminelët”, tha një tjetër qytetar.

Nëpër trotuaret para institucioneve shtetërore, protestuesit kanë vizatuar grafite me porosi të ndryshme kundër pushtetit, ndërsa para ndërtesës së Parlamentit, një grafit i shkruar në maqedonisht thotë: Vdekje fashizmit, liri popullit!

Top Channel