Maqedoni, ministrat e LSDM japin dorëheqjen. Parlamenti shpërndahet të enjten

06/04/2016 00:00

Vendimi i miratuar nga deputetët më 23 shkurt për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë më 7 prill hyn në fuqi sonte në mesnatë dhe i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor.

Sipas të gjitha gjasave në këto zgjedhje, partia maqedonase LSDM nuk do të marrë pjesë.

Dy ministra dhe tre zëvendësministra te emëruar me propozim të kësaj partie në qeverinë e Maqedonisë në nëntor të vitit të kaluar, pasditën e së mërkurës kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre dhe kanë kërkuar që të njëjtat të miratohen nëse në mesnatë hynë në fuqi vendimi për shpërbëjnë e Kuvendin dhe nuk shtyhet data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, nuk dihet nëse kryeparlamentari Trajko Veljanovski do të caktojë deri në mesnatë seancë urgjente për të konstatuar dorëheqjet e ministrave të LSDM-së

Ndërkohë, anëtarët e LSDM-së në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, të mërkurën u shprehën skeptikë për mundësinë e pastrimit të listës zgjedhore deri në afatin e parashikuar deri më 20 maj.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Cicakovski, paralajmëroi se nuk do të firmos listën zgjedhore, si një nga kushtet kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, nëse e njëjta nuk pastrohet tërësisht.

Një ditë më parë, gjatë një vizite në Shkup, kreu i Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian, Kristijan Danielson, theksoi se në Maqedoni ende nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje demokratike dhe ftoi të gjitha palët dhe institucionet shtetërore, që bashkërisht të angazhohen për zgjedhje korrekte.

Top Channel