BE: Nuk e braktisim Greqinë. Tsipras: Refugjatët të merren me avion nga Turqia

03/03/2016 00:00

BE nuk do ta braktisë Greqinë, ajo është dhe do të mbetet në zonën e “Schengen”-it. Këtë ka deklaruar nga Athina, pas një takimi me kryeministrin grek, presidenti i KE-së Donald Tusk, në kuadrin e një turi ballkanik që përfundon në Turqi, në prag të samitit të rëndësishëm të 7 marsit midis BE-së dhe Turqisë për refugjatët.

Duke u bërë thirrje refugjatëve të mos vijnë në Greqi, pasi ajo nuk është më vend tranzit për ta, ai ka dënuar gjithashtu veprimet e njëanshme për përballimin e krizës së refugjatëve, duke theksuar se ato çojnë në përçarje dhe nuk japin zgjidhje.

“Apeloj ndaj të gjithë enmigrantëve ilegalë, ‘ekonomikë’, kudo që ndodhen. Mos ejani në Europë. Mos u besoni trafikantëve. Mos rrezikoni jetën tuaj dhe paratë tuaja, sepse nuk ia vlen. Greqia, apo çdo vend tjetër europian, nuk do të jetë me një vend tranzit”, tha Donald Tusk, president i KE-së.

Bashkimi Europian u shfaq i dobët për të menaxhuar këtë krizë, ka thënë edhe kryeministri Tsipras në konferencën e përbashkët, ndërsa ka theksuar nevojën e respektimit të marrëveshjeve dhe vendimeve të KE-së për krizën e refugjatëve, duke kërkuar edhe sanksione ndaj atyre që nuk i zbatojnë ato. Vendet anëtare të BE-së të ndajnë përgjegjësitë, barrën dhe numrin e azilkërkuesve në bazë të popullsisë, ka thënë ai.

“Ne kërkojmë që kjo zhvendosje nga Greqia të përshpejtohet menjëherë, ndërsa ky transferim i refugjatëve që u jepet statusi i azilantit të bëhet drejtpërdrejt nga Turqia në vendet e BE-së”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Ndërkohë, nëpërmjet një deklarate të fundit, Berlini zyrtar shpreh mbështetjen ndaj Greqisë dhe një zgjidhjeje europiane për krizën e refugjatëve. BE i bën presion Ankarasë për të ulur numrin e emigrantëve që hyjnë në Greqi nga deti, në më pak se 1.000 në ditë. Në këtë rast, siç janë shprehur për “Reuters” burime nga Brukseli, Gjermania do të mund të marrë nga Turqia drejtpërdrejt me avionë, refugjatët sirianë që janë identifikuar në territorin turk.

Vlerësohet se në Greqi, bashkë me refugjatët që kanë hyrë orët e fundit, numërohen tashmë mbi 30 mijë vetë, ndërsa ministri grek i Emigracionit ka kërkuar nga të gjithë kryebashkiakët e vendit të përgatisin kampe të vogla për refugjatët, pasi Eidomeni konsiderohet i mbyllur dhe të gjithë këta njerëz duhet të qëndrojnë për dy ose 3 vite në Greqi.

Top Channel