Policia greke duket se ka shmangur arratisjen me helikopter të Nikos Maziotis, njëri prej anarkistëve më të mëdhenj të vendit dhe anëtar i grupit terrorist “Lufta Revolucionare”, i cili mbahet në burgun famëkeq të Korridhalosë.

Ngjarja, që po qarkullon në mediat greke, duket se ka ndodhur pasditen e së dielës, kur një grua, që thuhet se ka qenë bashkëshortja e tij, Pola Rupa, edhe ajo pjesëtare e grupit terrorist, ka marrë një helikopter me qira nga një hotel lukzos pranë Tebës dhe ka fluturuar mbi zonën ku ndodhet ky burg.

Por, në momentin e fundit duket se piloti ka kuptuar që bëhej fjalë për një arratisje dhe thuhet që pas një konfrontimi brenda në kabinë, ku duket se ka pasur edhe të shtëna me pistoletë, ka mundur të ulë mjetin larg ambienteve të burgut, ndërsa gruaja e panjohur është larguar duke harruar paruken dhe disa sende personale, që janë marrë për analiza nga Departamenti i Antiterrorit.

Nikos Maziotis pasi ishte zhdukur prej verës së vitit 2012-s, u arrestua në Monastiraki të Athinës në vitin 2014  dhe me akuza të shumta për veprimtari terroriste, midis të tjerash për një seri sulmesh në Ambasaden Amerikane dhe bursën e Athinës, u dënua me 50 vjet heqje lirie.

Deri tani nuk ka një version zyrtar të policisë për këtë ngjarje, pasi thuhet se po heton edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë përpjekje për arratisje me helikopter, që do të ishte e treta e radhes pas atyre të vitit 2006 dhe 2009 të shtetasit shqiptar, Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas.

Top Channel