Të paktën 20 organizata joqeveritare nga vendbanimet më të ndotura në Maqedoni janë kërcënuar se nga 15 janari do të bllokojnë qytetet më të mëdha të vendit nëse pushteti nuk ndërmerr masa urgjente kundër ndotjes alarmante të ajrit.

Gjatë protestës që u zhvillua para ndërtesës së qeverisë në Shkup, përfaqësuesit e sektorit civil bënë thirrje që shteti të miratojë një plan për të stimuluar qytetarët që të përdorin transportin publik.

Ata gjithashtu kërkojnë që kapacitetet industriale dhe kompanitë e ndërtimit të detyrohen nga qeveria që të mbajnë llogari për ndotjen e ajrit, kurse një pjesë e tyre të ndërpresin përkohësisht punën.

“Kërkojmë monitorim të plotë që të kemi të qartë se çfarë ajri thithim. Kush na ndotë dhe pse nuk ndëshkohet. Sot ka vetëm një gjë që është më e ndotur se ajri këtu tek ne dhe ajo është ndërgjegjja e këtyre që asgjë nuk ndërmarrin për të pastruar ambientin”, deklaroi Kiril Arsovski, ambientalist.

Mijëra qytetarë akuzuan qeverinë se deri tani nuk ka bërë asgjë për të ulur nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Protestuesit nga Tetova thanë se mbyllja e përkohshme e kombinatit metalurgjik “Jugohrom”  nuk është e mjaftueshme.

“Nga Tetova kemi një porosi për qeverinë: Vendosni ato dreq filtra në ‘Jugohrom’, qofshin edhe barokë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, duam vetëm ajrin tonë dhe për këtë të drejtë nuk do të bëjmë asnjë kompromis të vetëm, do të luftojmë deri në fund për jetët tona”, tha Arjanit Xhaferi nga OJQ “Eco Guelira”.

Ministria e Ekologjisë ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme situata me ajrin e ndotur do të përkeqësohet. Gjendja më e rëndë paraqitet në Tetovë, Shkup dhe Manastir.

Top Channel