Shkupi kërkon ndihmë nga Brukseli për krizën e refugjatëve.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Popovski, gjatë fjalës së tij në seancën e Komitetit të përzierë parlamentar midis Maqedonisë dhe Bashkimit Europian tha se, ballafaqimin me këtë krizë po e vështirësojnë edhe më tepër të ashtuquajturit “emigrantë ekonomikë”, që vijnë nga ato vende që nuk janë të përfshira në luftë.

“Ky problem nuk mund të tejkalohet, nëse nuk ka përgjigje pozitive nga ana e vendeve të prekura, respektivisht BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Bashkërisht duhet të shmangim konfliktet, që mund të kemi në kufi, dhe për këtë na nevojitet ndihmë nga Europa”, tha Nikola Popovski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Për shkak të seriozitetit të problemit, eurodeputeti slloven Alojz Peterle tha se, Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje Maqedonisë, duke shtuar ndihmuar në aspektin financiar për këtë vend.

“Kriza me emigrantët është një çështje, që flet për varësinë që kanë mes tyre vendi tuaj dhe Bashkimi Europian. Pra nevojitet veprim i përbashkët edhe në këtë çështje, sepse nëse nuk bashkëpunojmë, pasojat do të jenë shumë më të mëdha”, tha Alojz Peterle, eurodeputet.

Ndërkohë, deputeti PDSH-së, Orhan Ibrahimi kritikoi sjelljen e autoriteteve maqedonase me refugjatët.

“Unë e kuptoj qasjen e parlamentarëve dhe diplomatëve të huaj, të cilët duan ta nxisin qeverinë që t’i futet shumë seriozisht kësaj pune, por për ne është shumë shqetësuese sesi trajtohen refugjatët nga shteti”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Siç bëhet e ditur, brenda 24 orëve të fundit deri të premten në mesditë, rreth 2500 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani kanë hyrë në Maqedoni. Megjithatë, situata në kufirin me Greqinë vijon të mbetet e tensionuar, për shkak se rreth 3000 emigrantë, që vijnë nga vendet që nuk janë të përfshira në luftë, nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Maqedonisë.

Top Channel