Topi: Ndryshoni ligjin zgjedhor; Parlamenti aktual, një monstër për demokracinë

04/11/2015 00:00

Nga selia e Frymës së Re Demokratike, kreu i kësaj force politike, Bamir Topi solli në vëmendje të publikut prillin e vitit 2008, muaj në të cilin ndryshoi Kushtetuta në bazë të bisedave klandestine, siç i cilësoi ai, në dëm të demokracisë. Ndaj, sipas FRD-së duhet një ligj i ri zgjedhor, ku çdo votë të shkojë aty ku duhet.

“FRD kërkon të ketë një ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke i marrë proceset në mënyrë paralele, që do të thotë se, të diskutohet në bazën e një konsensusi të gjerë dhe jo mbi bazën e bisedave dhe vullneteve okulte të dy apo 3 individëve. Në rast se këta do e çonin Kodin Zgjedhor aty ku duan ata, do u bëja thirrje të gjitha partive politike, që nuk janë pak, të organizohen dhe të projektohen në interes të publikut”, tha Bamir Topi, kreu i FRD-së.

Duke sjellë ndërmend faktin se, vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur, Topi foli edhe për dekriminalizimin e një Parlamenti, që sipas tij përbën një monstër.

“Ne jemi shprehur në mënyrë të qartë se, ky Parlament dhe të gjitha institucionet duhet të ishin dekriminalizuar, por nuk është ende vonë. E kam shumë të rëndë ta them, por ky Parlament sot, për demokracinë në Shqipëri përbën një monstër”, tha më tej ish-Presidenti Bamir Topi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Bamir Topi akuzoi faktin se, ky vend ka institucione të sëmura, ku secila pjesë e tij vëren karrigen e vetë.

Top Channel