Preshevë, shqiptarët protestojnë edhe kundër drejtuesve lokalë

18/09/2015 19:35

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të udhëhequr nga shoqatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të kësaj zone, kanë protestuar këtë të premte duke kërkuar të drejta për shqiptarët.

Kjo vjen edhe pas kërkesave të politikanëve për Asociacionin e komunave të shqiptarëve. Megjithatë, veteranët janë edhe kundër pushtetit lokal.

“Nuk jemi këtu për të kërkuar votë, karrige apo pasuri. Jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Gjithashtu i bëj me dije Serbisë, se këto troje janë shqiptare dhe ky popull është shqiptar. Këto troje janë Kosovë e Shqipëri”, është shprehur Nazmi Hajredini, kryetar i OVL, UÇPMB-së.

“14 vite pas luftës së Ushtrisë Çlirimitare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar. Pranuam t’i dorëzojmë armët për t’iu kthyer betejës politike me premtimin e realizimit të të drejtave tona. Por sot ndihemi të braktisur më shumë se kurrë, si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga Prishtina e Tirana. Aq më keq ndihemi të tradhtuar e të mashtruar edhe nga politika lokale”, tha Minir Rexhepi, veteran.

Ata kanë thënë se, gjithë këto vite gënjeshtra e pritjeje për shqiptarët duhet të marrin fund menjëherë dhe të drejtat e tyre të realizohen pa kompromis.

Top Channel