Vrasje në Lushnje e Shkodër

25/06/2014 00:00

Dy vrasje me armë zjarri janë verifikuar pasditen e së martës në dy qytete të ndryshme të vendit e që kanë tiparet e një ekzekutimi të pastër.

Ekzekutimi i parë ka ndodhur në fshatin Plug të Lushnjes, ku viktimë ka mbetur një 40-vjeçar i identifikuar si shtetasi Lake Daka.

Burime policore lokale njoftojnë se trupi i tij i pajetë është gjetur rreth një orë pas vrasjes i hedhur në një kanal, pas sinjalizimit të disa kalimtarëve.

Ndërkohë, vrasja e dytë ka ndodhur në Shkodër, ku një person është qëlluar po ashtu me armë zjarri në hyrje të qytetit.

Burime policore nga qyteti verior bëjnë me dije se, personi sapo kishte dalë nga shtëpia dhe është qëlluar kur ndodhej ende pak metra larg saj. Ai është identifikuar si shtetasi Ibrahim Mani.

Për të dyja rastet policitë përkatëse kanë filluar hetimet për zbardhjen e motiveve. Agjentët e kriminalistikës kanë bërë mbikëqyrjen e vendngjarjeve, ndërsa ata të terrenit po punojnë për të mbledhur dëshmi të mundshme.

Top Channel