Arrestohet polici në Lazarat

23/06/2014 00:00

Një oficer policie është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Gjirokastër i implikuar në shpërdorim detyre me qëllim përfitimi gjatë shoqërimit të mjeteve të bllokuara në Lazarat.

Oficeri i arrestuar është inspektor Lorenc Alia, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Gjirokastër. Sipas të dhënave, një automjet i bllokuar në Lazarat nuk është dërguar në komisariat, por është dërguar me karrotrec në një tjetër destinacion dhe kjo sipas SHKB-së është bërë me qëllim përfitimi.

Ndërkohë, kontrollet në çdo cep të Lazaratit po vijojnë në shkallë të gjerë dhe në ndihmë të policisë ka shkuar edhe një skuadër e xhenierëve të Ministrisë së Mbrojtjes që kanë për synim identifikimin e vendeve ku mund të jenë fshehur armë e municion përmes pajisjeve të posaçme të specializuara të kësaj strukture, për të bërë të mundur sekuestrimin e tyre.

Sipas Policisë së shtetit deri më tani sasia e drogës së sekuestruar ka shkuar në 46.5 tonë, si edhe mbi 133 mijë fidanë.

Sa u takon armëve, policia thotë se numri i tyre ka shkuar në 236 armë të tipit automatike e pushkë, si dhe 8 pistoleta, 2 snajpera dhe 15 mitralozë të sekuestruar më herët.

E konsiderueshme është edhe sasia e municioneve të gjetura jo vetëm nëpër banesa, por edhe të groposura përgjatë momenteve të fundit, sapo policia nisi të avanconte në brendësi të fshatit.

Megjithatë, për këtë sasi të madhe armësh pritet të kryhet ekspertiza në laboratorin e kriminalistikës, në mënyrë që të evidentohen gjurmë papilatre për të dokumentuar e provuar identitetin e personave që kanë qëlluar në drejtim të policisë.

Ndërsa totali i shtëpive të kontrolluara ka shkuar në 581. Vetëm gjatë kësaj të hëne janë kontrolluar mbi 50 banesa, ku përveç municioneve e drogës janë bllokuar dhjetëra targa makinash që përdoreshin për automjetet gjatë transprotit të drogës për ta nxjerrë jashtë territorit të fshatit, por edhe jelekë policie, si dhe makineri lojrash fati.

Gjatë një kontrolli të imtësishëm në fshatin Kordhocë, është bërë e mundur gjetja e një sasie të konsiderueshme lekësh. Nga kontrolli i forcave të policisë në territoret përreth banesës së një shtetasi, në një tunel është gjetur një sasi prej 26 milionë e 480 mijë lekësh të vjetra.

Sasia e lekëve është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Për rastin në fjalë po kryhen veprimet proçedurale dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë për hetime të mëtejshme.

E ndërsa numri i të arrestuarve ka shkuar në 22, policia thotë se rreth 30 persona të tjerë janë në kërkim. Prokuroria pohon se janë marrë në pyetje 60 persona nga rrethe të ndryshme, që janë gjetur në Lazarat dhe që dyshohet se paguheshin si punëtorë për mbjelljen e bimës narkotike.

Prokuroria thotë se ata kanë rrëfyer emrat e njerëzve që i kanë paguar dhe për llogari të kujt punonin. Deri më tani tek Krimet e Rënda konfirmohet në rrugë jozyrtare se do të hetohen pesë persona nga Lazarati për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë.

Ndërkohë, pjesa tjetër pritet t’i kalojë Prokurorisë së Gjirokastrës për akuzat e armëmbajtjes, kultivimit të bimës narkotike dhe kundërshtimit të forcave të policisë.

Top Channel