Bashkim politik me Shqipërinë, ulje e pabarazisë nëpërmjet heqjes së TVSH-së për ushqimet e librat janë pikat e forta të programit me të cilin lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në garën për pushtet në Kosovë.
E përmbledhur në një Alternativë Qeverisëse, oferta dhe zgjidhja që VV i ofron qytetarëve, sipas liderit Albin Kurti, e pozicionon këtë forcë politike si të qendrës së majtë në spektrin politik kosovar. Në një intervistë për Top Channel, Kurti shpjegon tatimin progresiv dhe konceptin e shtetit zhvillimor.
“Gjithë ata që i kanë pagat deri në 170 euro nuk do të paguajnë tatim, ndër nga 170 deri n 500 euro do paguajnë 5 për qind tatim. TVSH-ja do të jetë 20 për qind për mallrat e luksit, ndërsa mallrat elementare duhet t’i përjashtojmë nga TVSH-ja. Shteti zhvillimor është një koncept i ekonomistëve social-demokratë, që thonë se zhvillimi arrihet nga brenda dhe ndihmohet nga jashtë. Bujqit dhe sipërmarrësit duhet të mbështeten nga shteti që të jenë konkurrues brenda dhe jashtë vendit”, deklaron Kurti.
Ndërsa për bashkimin me Shqipërinë, VV parashikon hapa konkretë nëse qeveris Kosovën. “Ne do bëjmë menjëherë një regjistër të përbashkët. Do heqim lejet e punës, liçencimi i bizneseve duhet të bëhet si një shtet i vetëm dhe të funksionojmë me një sistem doganor. Por të gjitha këto janë hapa për bashkim politik, që Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë dhe të jenë një shtet me një qeveri të vetme”, thekson Kurti.
Pavarësisht se për Kurtin VV pozicionohet në qendrën e majtë, kjo nuk do të jetë pengesë për koalicon qeverisës nëse fitojnë zgjedhjet.
“VV dëshiron që ta bëjë bashkë idenë e shtetit republikan me sovranitet të plotë nga njëra anë dhe me rregullimin social-demokrat brenda Kosovës. Orinetimi ynë sa i përket politikës dhe socio-ekonomisë është i qendrës së majtë. Do arrijmë ta bëjmë shumë lehtë qeverinë, sepse tek të tjerët koncepti ekonomik nuk është serioz. Do bashkëpunonim me partitë e tjera me qëllim daljen e VV si subjekt i parë. PDK duhet të dalë në opozitë”, shton Kurti.
VV ka përgatitur me detaje planet për bashkimin e Mitrovicës dhe planin e zhvillimit e sigurisë, ku theksohet dialogu me qytetarët serbë të Kosovës dhe kushte të qarta për Beogradin.
Në fushën e arsimit VV planifikon arsimin pa pagesë në çdo nivel dhe lidhjen e këtij sektori me ekonominë, si dhe njësimin e kurrikulave dhe koordinimin e kurseve të studimit me Shqipërinë.
VV strategjinë e punësimit e ka të lidhur me ringritjen e industrisë prodhuese. Në program kanë planifikuar investime konkrete dhe fondin investiv deri në ngritjen e Bankës publike për zhvillim.
Top Channel