Shkrimtari i njohur amerikan, Jonathan Franzen para disa kohësh vizitoi Shqipërinë nga ku u largua me shijen e hidhur të masakrës së shkaktuar nga gjuetia e paligjshme. Në shkrimet dhe dokumentarët e tij për National Geographic ai vinte në dukje rëndësinë e vendit tonë si urë lidhëse e zogjve shtegtarë mes Afrikës dhe Europës Kontinentale, ndaj lëshoi alarmin për ndalimin e gjuetisë.

Dëmi i shkaktuar, thotë Franzen, është i madh dhe kërkon vite të rekuperohet.

Kësaj teme dhe mjedisit në përgjithësi iu kushtua emisioni Shqip me gazetaren Rudina Xhunga këtë të hënë.

Në pjesën e parë të panelit të ftuar ishin Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-zvministri i Mjedisit Taulant Bino, gazetari i Top Channel, Marin Mema dhe Sekretari i Federatës së Gjuetarëve, Thimi Peti.

Ministri Koka vuri në dukje moratoriumin 2-vjeçar të miratuar nga qeveria si një masë ekstreme, por e domosdoshme për të shpëtuar gjuetinë, ndërsa gazetari Marin Mema tha se pasojat e 24 viteve paligjshmëri në këtë sektor, sot po i paguajnë edhe ata të ligjshmit me këtë moratorium.

Në fund të pjesës së parë, Shqip solli intervistën e marrë nëpërmjet Skype, shkrimtarit amerikan, Jonathan Franzen, i cili përshëndeti moratoriumin që ndalon gjuetinë. Sipas tij efektet do të jenë të menjëherëshme, që nga pranvera e vitit të ardhshëm.

***

Franzen: Pastroni plazhet, sillni zogjtë dhe do të zbuloni thesarin turistik që keni

Rudina Xhunga: Përshëndetje Jonathan.

Jonathan Franzen: Përshëndetje Rudina.

Rudina Xhunga: Është një lajm i mirë që na e sjell këtë intervistë të dytë, kësaj radhe në Skype. Lajmi është për moratoriumin për gjuetinë ndaj kafshëve. Ju jeni pjesë e këtij lajmi të mirë, madje jeni frymëzimi, për qeverinë shqiptare. Më duhet t’ju them faleminderit.

Jonathan Franzen: Faleminderit që më falënderon. Besoj se shqiptarët duhet të ndjehen krenarë për këtë që kanë bërë.

Rudina Xhunga: Çfarë do të sjellë moratoriumi, ndaj kafshëve, për të ardhmen e shpendëve në Shqipëri? Për njerëzit që nuk kanë shumë lidhje me shpendët, si mua t’jua shpjegoni këtë?

Jonathan Franzen: Besoj se ajo që do të shohim shumë shpejt është kthimi i zogjve në Shqipëri. Nëse ke shkuar në Parkun e Karavastasë para një viti, një nga habitatet më të mira të zogjve në të gjithë Mesdheun, do të shihje që nuk kishte fare zogj. Ka miliona zogj që përpiqen të futen në këtë zonë, të vijnë e qëndrojnë aty, të pushojnë që të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Ata nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë gjë. Por besoj se pas një viti po të shkosh përsëri në atë Park Kombëtar, do të shohësh dhjetëra mijëra zogj.

Rudina Xhunga: Çfarë do të sjellë kjo për njerëz të pandjeshëm ndaj zogjve të cilët mendojnë që kemi boll probleme, që nuk kemi punë, që në Shqipëri ka probleme me korrupsionin, që në Shqipëri ka probleme me papunësinë, që në Shqipëri ka qindra mijëra probleme të tjera dhe nuk na shkon mendja fare te zogjtë.

Jonathan Franzen: Unë do të thosha dy gjëra. E para, zogjtë nuk i përkasin asnjë vendi, zogjtë i përkasin të gjithë botës dhe në një farë mënyre ajo çfarë duhet të bëjë secili vend është që të marrë përgjegjësi së bashku me vende të tjera për të garantuar sigurinë e tyre. Sigurisht që mund të dalësh me argumentin se shqiptarët duan të jenë qytetarë të mirë të Evropës, njerëzit duan të integrohen plotësisht në Evropë, njerëz që marrin përgjegjësinë që u takon për të mirën e përbashkët. Por do të thosha edhe që për shkak se zogjtë janë gjuajtur kaq shumë këto vitet e fundit, njerëzit ndoshta kanë harruar sesa bukur është të jesh në një vend me shumë zogj. Mendo, të dalësh për shembull në park, të shohësh qiellin bosh dhe nuk të duket si muaji Mars. Por nëse zogjtë kthehen ndoshta edhe njerëzit do të fillojnë ta kujtojnë se çfarë do të thotë ta kesh qiellin plot me zogj dhe çfarë do të thotë të kesh një mjedis të shëndetshëm.

Rudina Xhunga: Në fakt, si e shikoni ju pranverën tjetër në Shqipëri? Çfarë mund të ndodhë pasi të realizohet ky moratorium.

Jonathan Franzen: Mendoj se menjëherë, qysh në muajin pasardhës, do të shihni shumë më tepër rosa, pata, zogj të tjerë shtegtarë kudo në Shqipëri sepse për momentin kanë shumë frikë të vijnë për sa kohë ishte gjithë ajo gjueti pa kriter. Disa zogj të mrekullueshëm siç janë lejlekët të cilët kanë mësuar që të mos ndalojnë në Shqipëri sepse është e rrezikshme, këta do të kthehen dhe në fakt janë kafshë të mrekullueshëm. Mendoj se ata e kanë pjesë të qëndrimit në Shqipëri por në 10 vitet e fundit nuk panë pasur guxim të ndalojnë. Besoj se edhe kur të shkoni në ndonjë kodër ose mal afër Tiranës , do të shihni zogj të cilët në fakt nuk duhej të ishin objekt i gjuetisë për kaq shumë vite. Jam i bindur se ata do të kthehen.

Rudina Xhunga: Përse Shqipëria është e rëndësishme për zogjtë shtegtarë?

Jonathan Franzen: Shqipëria ka habitatin më të mirë për zogjtë në të gjithë Mesdheun lindor. Prandaj Shqipëria duhet të jetë një vend ku duhet të ketë shumë zogj që njerëzit t’i shijojnë duke i parë dhe në fakt në Shqipëri ka miliona e miliona zogj shtegtarë që do të ndalonin këtu në pranverë dhe në vjeshtë. Ju e keni parasysh bregdetin e Adriatikut, është gjithë male dhe shkëmbor përveç faktit që Shqipëria ka ligatinat. Pra, Shqipëria në fakt ka një thesar në formën e këtyre lagunave bregdetare që është thesari i gjithë Evropës. Moratoriumi i gjuetisë duket si një hap përpara drejt përftimit jo vetëm të kënaqësisë por edhe të marrjes përsipër të përgjegjësisë për këtë thesar që ju keni.

Rudina Xhunga: Por do të ketë njerëz që do të dëmtohen nga ky moratorium. Moratoriumet gjithmonë dëmtojnë njerëz.

Jonathan Franzen: Po, është e vërtetë. Përshtypja ime kur isha në Shqipëri para dy vjetësh ishte që në Shqipëri ka shumë ushqim, jo vetëm që ka shumë por është edhe i mirë. Ka pjesë të botës ku njerëzit vrasin zogj nga halli sepse ndryshe vdesin urie por shqiptarët nuk po vdesin urie.  Dhe po, do të thosha që ka pasur një mesa di shumë italianë dhe njerëz nga vende të tjera që kanë ardhur për të gjuajtur në mënyrë ilegale. Ka pasur sigurisht edhe vendas që kanë përfituar nga këta gjuetarë të huaj megjithatë ajo çfarë kanë bërë deri tani ka qenë e paligjshme.

Rudina Xhunga: Në një vend ku zogjtë do të kthehen, si e shikoni turizmin, si e shikoni verën, pranverën, vjeshtën turistike të Shqipërisë që ju e njihni tashmë?

Jonathan Franzen: Mendoj se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të qenë një nga destinacionet më të mira të të gjithë Evropës sepse ka plazhe të pafundme të bukura dhe sidomos për evropianët lindorë, një pjesë e pushimeve nuk është thjesht të rrish shtrirë në plazh por edhe të përjetosh kulturën e një vendi, të përjetosh kafshët e egra të një vendi. Kështu që nëse keni zhvillime të tilla, për shembull nëpër plazhe, dhe meqë keni këto zona kaq të bukura natyrore pas plazheve, mendoj se ky ka për të qenë një plus shumë i madh për shumë evropianë. Shumë evropianë do të zgjedhin të bëjnë pushimet në Shqipëri pikërisht për këto arsye. Pra, jo vetëm për shkak të plazheve por edhe të destinacionit natyror. Kështu që pastroni plazhet, sillni zogjtë dhe them se ekonomikisht ka për të qenë një thesar shumë i madh sesa po humbisni duke mos gjuajtur zogjtë.

Rudina Xhunga: Pastroni plazhet dhe sillni zogjtë. Kjo është këshilla juaj për ne këtu?

Jonathan Franzen: Po, kjo do të ishte këshilla ime. Unë e di, i njoh evropianët si janë.

Rudina Xhunga: Si janë ata?

Jonathan Franzen: Epo, Evropianët pëlqejnë plazhet e pastra dhe siç thashë, shumë prej tyre u pëlqen që të ecin me biçikletë, u pëlqen të ngjiten në natyrë nëpër male, nëpër kodra dhe në fakt nuk ka shumë vende të tilla me kaq shumë gjëra në Evropë. Kështu që atë çfarë ata nuk do ta gjejnë dot në shtëpinë e tyre do të vijnë ta gjejnë këtu në Shqipëri që është pra natyra, natyra siç ka qenë dikur, peizazhi siç ka qenë dikur.

Rudina Xhunga: Intervistën e ardhshme në Shqipëri unë do uroja ta bënim në lagunën e Karavastasë. Si do të ishte sipas jush?

Jonathan Franzen: Kjo do të ishte e mrekullueshme. Do të më pëlqente shumë të kthehesha. Do të ishte shumë kënaqësi.

Rudina Xhunga: Unë uroj të vini edhe për një arsye tjetër sepse këtë vit në Tiranë do të botohen librat tuaj “Liria” dhe “Korrigjimet” dhe sot Flutura Açka e Skanderbeg Books më tha që ky me siguri do të jetë viti i Franzen-it në Shqipëri.

Jonathan Franzen: Po, mesa di të dyja përkthimet e dy romaneve kanë përfunduar dhe do të botohen.

***

Në pjesën e dytë dhe të tretë të ftuarit u ndalën tek mjedisi në tërësi dhe nismat e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes të ndërmarra në pikat kufitare të vendit, ku qindra forca të ushtrisë u angazhuan në pastrimin e territorit.

Panelit iu bashkua GjeneralMajor, Jeronim Bazo. Ai tha se në muajin maj, Forcat e Armatosura do të angazhohen në një tjetër operacion pastrimi, këtë herë përgjatë bregdetit për t’i paraprirë çeljes së sezonit turistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA