Ditëlindja më e keqe e Michael Schumacher

03/01/2014 00:00

Kur mbushi 25 vjeç, Michael Schumacher ishte një pilot i konsoliduar në Formulën 1 që ëndërronte titullin kampion, titull që i erdhi për herë të parë atë vit, në 1994; një dekadë më vonë, mbushi 35 vjeç me 6 tituj kampioni mbi shpinë që do të bëheshin 7 në përfundim të 2004-s.

Sot, gjithçka është shumë ndryshe. Schumi nuk mund të festojë ditëlindjen e tij të 45 pasi ndodhet në spitalin e Grenobles duke luftuar për të kaluar shumë ditëlindje të tjera dhe këtë mund ta bëjë vetëm nëse i mbijeton dëmtimeve të rënda në kokë që pësoi ditën e dielë, kur ishte duke bërë ski në Meribel të Francës.

Neurologët kanë thënë që sa më shumë kalon koha, aq më mirë është për ish-pilotin e Ferrarit, gjithmonë duke iu referuar objektivit të vetëm që mjekët kanë për momentin: mbijetesën. Në këtë kontekst, stabiliteti në komën e induktuar të bën të besosh se më e keqja ka kaluar tashmë edhe pse është herët për të folur me siguri.

Për ditën e sotme pritet një fluks i madh tifozësh jashtë spitalit. Ferrari ka njoftuar se klubet e tifozëve të skuderisë italiane në Francë dhe Itali do të mblidhen jashtë ambienteve të spitalit e do të qëndrojnë në heshtje për të festuar ditëlindjen e idhullit të tyre, me shpresën se 3 janarin e ardhshëm do të kenë mundësi ta festojnë siç duhet ditëlindjen e gjermanit.

Top Channel