Doganat dalin nga “gropa

02/12/2013 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportoi për të dytin muaj me radhë
rezultate pozitive në mbledhjen e të ardhurave. Drejtoresha Elisa
Spiropali tha se në nëntor u mblodhën 1.3 miliardë lekë më shumë se
vitin e kaluar.

“Në total për dymujorin e parë të ndryshimit të administratës doganore tetor-nëntor 2013 janë arkëtuar 2.2 miliardë më shumë se në të njëjtit muaj të vitit paraardhës, rreth 22 milionë dollarë më shumë. Rezultatet e muajit nëntor që vijojnë ato të muajit tetor nuk janë një rastësi, por rezultat i frymës së re në qeverisjen e vendit”, tha drejtoresha e Doganave.

Spiropali tha se rezultatet e këtyre dy muajve nuk janë të rastësishme, por lidhen me luftën ndaj evazionit dhe prerjen e fijeve korruptive në dogana.

“Vetëm këto dy muajt e fundit kemi zbuluar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh në fushën e doganave që kapin vlerën e 1.7 miliardë lekë, kemi hartuar dhe zbatuar një sërë plan kontrollesh, kryesisht për magazinat fiskale dhe doganore si dhe për procedurat e rimbursimit  të akcizës, kemi forcuar marrëdhëniet me komunitetin e biznesit”, tha Spiropali.

Ndërkaq Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave e vuri theksin edhe tek klima e re e marrëdhënieve që sipas saj është krijuar me biznesin. Spiropali tha se gjatë këtyre dy muajve ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të biznesit në të gjithë vendin dhe premtoi zgjidhjen e problemeve të ngritura nga ata.      

Top Channel