Nishani: Hiqni ligjin e luftës

04/11/2013 00:00

Në vizitën e parë zyrtare në Tiranë, Presidenti i Greqisë Karolios
Papulias është takuar me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, ku
është përballur me kërkesën e palës shqiptare për heqjen e Ligjit të
Luftës dhe trajtimin e çështjes së pronave të çamëve.

Për më shumë se dy orë Papulias dhe delegacioni që e shoqëronte qëndroi në Presidencën shqiptare, ku pati një takim kokë më kokë me presidenti Nishani. Më pas është vijuar me takimin bilateral ku merrnin pjesë ministra nga Qeveria greke dhe ajo shqiptare.

Të dy presidentët dolën përpara medias duke lexuar nga një deklaratë të parapërgatirur. Presidenti Nishani e nisi deklaratën duke vlerësuar rolin dhe kontributin e presidentit Papulias në marrëdheniet mes dy vendeve. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se gjatë takimit ishte biseduar për çështje të vjetra dhe të reja që kërkojnë zgjidhje.

“Kërkova që Parlamenti Grek të shfuqizojë Ligjin grek të Luftës, akoma në fuqi, dhe që mban në sekuestro konservative pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi, si edhe abrogimin e të gjitha ligjeve që rrjedhin prej tij dhe që janë në kundërshtim me nenin 15-të të Traktatit të Miqësisë. Shpreha shqetësimin për moszgjidhjen ende të çështjes së toponimeve, e cila po bëhet pengesë për lëvizjen e lirë dhe shërbime që lidhen me legalizimin e dokumenteve të tjera. Delimitimi detar midis dy vendeve mbetet një çështje për t’u zgjidhur.Pala jonë është e gatshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën greke, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm të secilit vend”, u shpreh Nishani, i cili nuk ngurroi t’i kërkonte presidentit grek marrjen në konsideratë të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Bashkëbisedim të përzemër dhe të sinqertë. Kështu e quajti presidenti Papulias takimin me homologun Nishani, duke theksuar se kjo vizitë i jep një dimension të ri marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Papulias nuk bëri asnjë koment për kerkesat e palës shqiptare, por shpjegoi qasjen e Greqisë për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve dhe rëndësinë që marrin projektet energjetike për të dy vëndet.

“Minoriteti etnik grek përbën një nyje lidhëse dhe të qëndrueshme të pazgjidhshme miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve dhe popujve tanë. Grekët e Shqipërisë janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës, politike ekonomike dhe shoqërore shqiptare dhe të gjithë jemi dakort se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Nga ana tjetër qindra e mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi përbëjnë gjithashtu një element të fuqishëm lidhës në marredhëniet tona. Disktutuam edhe për marrëveshjen e demilitimit të zonave detare. E informova mikun tim, zotin president, se politika e integruar do të jetë një përparësi si për presidencën e pritëshme në BE ashtu edhe për presidencën italiane që do të do ta zëvëndësojë”, tha Papulias.
 
Presidenti Papulias dha garanci për mbështjetje nga presidenca europiane greke në janar ndaj Shqipërisë.
“Patëm gjithashtu rastin të shqyrtojmë ecurinë e mardhënieve të Shqipërisë më BE-në. E sigurova zotin Nishani se gjatë Presidencës së pritshme greke, Athina do të avancojë në mënyrë energjike ecurinë integruese të Shqipërisë, ashtu siç veproi pa u lëkundur edhe në të kaluarën”, tha presidenti grek.
 
Pavarësisht interesit të madh të medias shqiptare për t’i drejtuar pyetje dy presidentëve kjo nuk u lejua. Ndoshta për t’i krijuar një mburojë presidentit grek për mos u përballur me pyetje të mundshme, që lidheshin me çeshtje me ndjeshmeri te madhe per shqiptaret.

Rama-Papulias: Frymë të re bashkëpunimi

Gjatë takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Greqisë, Karolos Papoulias, shefi i qeverisë shqiptare shprehu gatishmërinë për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit me Greqinë, në dritën e miqësisë e të fqinjësisë së mirë, si dhe në kuadër të partneritetit strategjik.

Në takim u theksua vullneti i përbashkët për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi se një kapitull i ri do të shënojë bashkëpunimin e dyanshëm, si dhe atë rajonal.

Kryeministri Rama u shpreh se, roli i Greqisë si një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s ka një rëndësi domethënëse për rajonin dhe theksoi se qeveria shqiptare konstaton me kënaqësi vëmendjen që Greqia po i kushton rajonit.

Rama vlerësoi gjithashtu marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në prill, e cila sipas tij ka hapur një epokë të re në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

Nga ana e tij, presidenti Papoulias e siguroi zotin Rama për mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Greqia, u shpreh Papoulias, e pret Shqipërinë sa më parë në BE dhe ajo do të jetë në krah të saj në këtë përpjekje.

Meta: Erë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti grek u prit ne takim edhe nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili vuri ne dukje rolin historik dhe kontributin e zotit Papulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Njoftimi zyrtar thote se Zoti Meta dhe Presidenti Papoulias ndanë bindjen se tashmë ka filluar një erë e re bashkëpunimi mes dy vendeve dhe se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej përmes Komisioneve të përbashkëta të punës per zgjidhjen e ceshtjeve te mbartura nga e shkuara, përmes frymës konstruktive dhe vullnetit të sinqertë.

Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se pas vizitës dhe mesazheve domethënëse të Presidentit Papulias në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shënojnë një përparim të dukshëm.

“Parimet e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe parimet e Bashkimit Evropian, janë baza e trajtimit konstruktiv dhe e gjetjes së zgjidhjeve racionale të çështjeve të mbartura nga e kaluara”, u shpreh z. Meta.

Idrizi: Papulias je çam dhe mbaje fjalën

Shoqata “Çamëria” dhe PDIU kanë organizuar një tubim paqesor për t’i kujtuar presidentit grek Papulias një premtim që sipas tyre ai ke bërë 20 vite më parë për çështjen çame.

“Zoti Papulias ke premtuar në vitin 1993, 20 vjet më parë, që çështja çame është një cështje që i ka plagët e hapura dhe ta trajtojmë pas 20 vjetësh. Po ja kanë kaluar 20 vjet, por plagët janë tonat dhe ne nuk i harrojmë. Ne nuk dimë që komuniteti ynë të ketë krijuar plagë. Krejt e kundërta ka ndodhur, janë mbi 5 mijë vetë të masakruar, gra, pleq dhe fëmijë. Eshtë 20 për qind e popullsisë e shfarosur, janë 35 mijë të shpërngulur, janë miliarda pasuri të grabitura, objekte kulti të shkatërruara dhe ne do të donim që zoti Papulias, ta mbante fjalën e tij të dhënë para 20 vjetësh”, thakreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Zoti Idrizi duke i kujtuar presidentit grek rrenjet e tij çame, si pasoje e origjines nga fshati Vushtine i Janines, kerkoi nga zoti Papulias edhe shfuqizimin e Ligjit te Luftes.

“Do të duhej të shfuqizohej ligji i luftës, sespe ne nuk kemi bërë luftë më askënd, do të duhej që ligji i vitit 1981 për refugjatët e luftës të zbatohej pa dallim për të gjithë ata shtetas grek edhe me origjinë jogreke. Kjo do të na mundësonte që ne të ktheheshim në trojet tona, të rifitonim të drejtat e mohuara, njësoj si refugjatët e tjetë të luftë, të majtë apo të djathtë qofshin ata”, tha Idrizi.

Te njejtat akuza te forta ndaj kreut te shtetit grek u artikuluan edhe nga deputeti Dashamir Tahiri.

Top Channel