Pas sulmeve ndaj Krstimir Pantiç, kandidatit të listës qytetare serbe për Mitrovicën e Veriut, situata është qetësuar.

Grupet politike pro dhe kundër thonë se situata është e brishtë.

Partia Demokratike e Serbisë apo koalicioni për bojkot, thonë se është e çuditshme se si ndodhin incidente pasi qyteti i veriut është i vëzhguar nga kamerat që i takojnë mbrojtjes civile, një grupi rojash.

Nebojsha Joviç, një nga zërat më radikal kundër zgjedhjeve të Kosovës thotë për “Top Channel” se ata do të filmojnë të gjitha qendrat e votimit për të mos lejuar mundësi manipulimi me numrin e votuese. Sipas tij, pjesëmarrja do të jetë shumë e ulët.

“Ne jemi kundër zgjedhjeve, por nuk duam probleme.  Jemi të sigurt se pjesëmarrja do të jetë e vogël, eventualisht mund të jetë një apo dy për qind. Para dy vjetësh kemi pasur referendum dhe 99 për qind të qytetarëve kanë deklaruar se nuk i duan institucionet e Kosovës. Por, ne kemi pasur presion të madh nga Beogradi, më të madh se nga Prishtina apo bashkësia ndërkombëtar“, tha Nebojsha Joviç, Shtabi Antizgjedhor i Bojkotit.

Në Beograd, thonë se sulmi ndaj Pantiç ka qenë atentat dhe ftojnë për zgjedhje.

Në një intervistë të mëhershme, Olliver Ivanoviç, kandidat për kryebashkiak, ka thënë se nuk pret shumë probleme ditën e zgjedhjeve, por me Prishtinën gjithsesi nuk do të bashkëpunohet në aspektin politik.

“Do të ketë bashkëpunim më të gjithë, por me Prishtinën vetëm kur të ketë interesa të përbashkëta. Interesat tona politike ndryshojnë dhe bashkëpunimi do të jetë i vështirë. Por, ekziston mundësia të kemi një bashkëpunim ekonomik”, komentoi zoti Ivanoviç.

Ajo që i ndanë partitë politike dhe opsionet është se kush do ta ruajë më shumë Serbinë në këtë zonë dhe kush është më tradhëtar.

Serbia ka ftuar për pjesëmarrje, por i ka ndarë ata. Në Mitrovicë, një gjë është e qartë, nuk është garuar me ide, por me patriotizëm.

Top Channel