Parada gay solli kritika nga Bashkimi Evropian për Serbinë. Përkundër faktit që u anulua, megjithatë aktivistët dolën në orën 23.00 për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe në një shëtitje nga qeveria deri tek Kuvendi serb, thanë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
“Duam të tregojmë që ne do të shëtisim, nuk do të zhdukemi dhe do të kemi paradë 365 ditë të vitit dhe deri atëherë kur institucionet të mos e kuptojnë mesazhin dhe thelbin e asaj për të cilën ne flasim këtu”, deklaroi Maja Miçiç nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Qeveria e Serbisë, përkatësisht institucionet e sigurisë, ndaluan paradën e së shtunës, e cila solli shumë forca sigurie dhe pakënaqësi pasi ndalohet për herë të tretë.
Në procesin integrues Serbia duhet të respektojë të drejtat e njeriut, por kundër paradës ishin organizatat ekstremiste dhe Kisha. Një ditë pas vendimit, ministra të vendeve Perëndimore kritikuan Serbinë. Ndërkaq, Jellko Kacin, raportuesi i BE-së për Serbinë, tha se ky shtet nuk po kryen detyrën.
“Konsensusi është arritur kundër dhe jo pro paradës dhe promovimit të të drejtave të pakicave. Porosia që i është dërguar qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian është se shteti serb nuk është duke kryer punën e saj”, deklaroi Kacin.
Parada kaloi pa probleme të shumta, ndonëse as policia nuk ishte njoftuar për një gjë të tillë. Krerët e shtetit thanë se mbajtja e paradës do të ishte e rrezikshme.
Top Channel