Basha: Rama po shkelmon statusin

26/09/2013 00:00

Partia Demokratike mbajti një qëndrim të ashpër ndaj një përpjekje
jopublike, që sipas saj, po bën Kryeministri Edi Rama për të shtyrë,
përtej 1 tetorit, hyrjen në fuqi të Ligjit për Shërbimin Civil.

Duke i kujtuar Kryeministrit Rama se ishte Partia Socialiste ajo qe vendosi si kusht 1 tetorin, në mënyrë që te votonte këtë ligj dhe dy të tjerët, të cilët ishin kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, kreu i opozites paralajmëroi pasoja të rënda politike.

“Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë: Pasi e bllokuan sa deshën marrjen e statusit kandidat në opozitë, Rama me të tijtë nuk kanë asnjë punë tjetër për të bërë tani që kanë ardhur në pushtet, përveç se të shkojnë në Bruksel e ta marrin këtë status në emër të Shqipërisë. Ua kemi bërë gati ne. Ua kemi lënë punët të kryera të gjitha. Por t’i thërrasë mendjes se tashmë si qeveritar po rrezikon me këtë që ka në mendje me administratën  publike.  Ky do të ishte një ekzekutim i pafalshëm dhe pa kthim i konsensusit, pasojat e të cilit do të bien mbi të gjithë shqiptarët por përgjegjësi do të ketë një dhe vetëm një emër. Ndaj e ftoj Edi Ramën të tërhiqet menjëherë nga ky atentat ndaj shtetit ligjor, ndaj konsensusit ndërpartiak dhe ndaj aspiratës me të mbështetur nga shqiptarët e mos të provojë, që statusin që e bllokoi si opozitë, ta rrezikojë tashmë si qeveri”, u shpreh Basha.
   
Perpara se tre ligjet te miratoheshin ne nje seance te jashtezakonshme, 3 jave perpara zgjedhjeve parlamentare, nismetar per konsensusin e arritur ishte kryetari i LSI-se, Ilir Meta. Me kete cilesi, kryetari i Partise Demokratike, i drejtoi nje mesazh edhe aleatit kryesor te Partise Socialiste.

“Pjesë e këtij konsensusi, madje bashkë-promotor i tij ishte edhe kryetari  i sotëm i Kuvendit të Shqipërisë,  zoti Ilir  Meta. Uroj dhe shpresoj që ai dhe partia e tij të mos qëndrojnë indiferentë në këtë zhvillim kritik për fatin e klimës politike  në vend, për fatin e integrimit, për fatin e administratës publike. Ne nuk do të pajtohemi me këtë situatë xhungle, që do të na kthente vërtetë në vitin zero, siç thotë, mendon, dëshiron dhe po tenton zoti Rama. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë të vendosura të mbrojnë me çdo çmim vlerat pozitive të krijuara në këto vite në administratën publike si dhe vlerat e produktit të konsensusit ndërpartiak që i hapi rrugë marrjes së statusit kandidat”, theksoi Basha.

Top Channel