Të ‘paftuarit’ në oborrin e PD/ Nga Balluku te Agasi, Veliaj, Karçanaj dhe Rama, demokratët gati për protestë kombëtare
Deputetja dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përcjellë një urim për Kosovën dhe Presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula.
Në mesazhin e saj, Spiropali vlerëson pjekurinë institucionale dhe politike të Kosovës, duke e cilësuar zgjedhjen e Presidentes si një mundësi për një kapitull të ri bashkëpunimi, përgjegjësie dhe besimi.
Ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e krerëve të UÇK-së në Hagë, duke kërkuar mbështetje të drejtësisë dhe angazhim të qëndrueshëm institucional e diplomatik në mbrojtje të tyre.
“Urime Kosovë! Kosova kishte nevojë për institucione që marrin përgjegjësi, ofrojnë drejtim dhe u shërbejnë me përkushtim qytetarëve.
Kuvendi i Kosovës dhe palët politike treguan se shteti i Kosovës e ka të gjithë pjekurinë dhe qëndrueshmërinë për përballimin e sfidave në vazhdim.
E uroj me zemër znj.Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës. Jam e bindur se urtësia, dija dhe dashuria e saj për Kosovën do udhëheqin për t’i bashkuar qytetarët përtej ndarjeve politike, për të përfaqësuar me dinjitet interesat e vendit.
Për institucionet tona mbetet gjithashtu përgjegjësi e rëndësishme mbështetja e drejtësisë dhe mbrojtja e krerëve të UÇK-së në Hagë, përmes seriozitetit juridik, bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të qëndrueshëm diplomatik.
Urime, Presidente! Uroj që kjo zgjedhje të shënojë fillimin e një periudhe të re bashkëpunimi, përgjegjësie dhe besimi për Kosovën”, shkruan Spiropali.
Top Channel