Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se është gati të japë urdhrin
për ndërhyrje ushtarake në Siri ndoshta dhe javën që vjen me pretendimin
se e ka autoritetin për ta bërë një gjë të tillë.
Por për një sulm mbi Damaskun, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të kërkojë më parë autorizimin e Kongresit. Nga “Kopshti i Trëndafilave”, Obama siguroi edhe një herë se trupat amerikane nuk do të shkelin në Siri. Pas “Jo-së” britanike për pjesëmarrje në mësymje, hipoteza e një aksioni të kufizuar bëhet kështu gjithmonë e më konkrete.
“Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri. Kam vendosur që ta ndërmarrin një aksion ushtarak kundër regjimit sirian dhe ta ndëshkojmë për përdorimin e një gazi që vrau mbi një mijë vetë, një atentat ky kundër dinjitetit njerëzor. Por pervecse Komandat i Forcave të Armatosura, jam edhe presidenti i demokracisë më të vjetër parlamentare. Edhe pse une mund ta jap urdhërin e sulmit pa dritën jeshile të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, kam vendosur të dëgjoj mendimin e të përzgjedhurve të popullit amerikan, e për këtë do te nisë një diskutim në Kongres”, tha Obama.
“Cili është qëllimi i sistemit ndërkombëtar të rregullave që kemi ndërtuar nëse lejojmë një sulm kimik që vret fëmijë? Një sulm që dënohet nga 98 përqind e vendeve të botës? Duke i folur Kongresit dhe gjithë botës, dua të them që ajo cfarë është bërë me armët kimike nuk duhet të hetohet, por duhet të zgjidhet. Do t’u kërkoj të gjithëve që të jenë në krahun tonë. E di që lufta është shumë e rëndë, sidomos për ne që sapo kemi mbaruar një luftë në Irak dhe Afganistan, por ne nuk do çojmë trupat tanë për të hapur një luftë tjetër, por do të jemi në krah të popullit sirian”, deklaroi presidenti amerikan.
Por edhe nëse vendos në këtë moment për ndërhyrjen ushtarake të Amerikës në Siri, ligjërisht Barack Obama nuk mund ta realizojë atë me një kërcitje gishtash.
Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Presidenti është edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por fuqinë për të shpallur luftë dhe për të miratuar fondet e nevojshme për të, e ka Kongresi.
Përveç kësaj, një ligj 40-vjeçar lidhur me autoritetin për shpalljen e luftës, kërkon që kreu i shtetit ta njoftojë Kongresin brenda 48-orësh për kryerjen e ndërhyrjes së armatosur dhe forcat e armatosura nuk mund të qëndrojnë në luftë për më tepër se 60 ditë, pa miratimin e Kongresit.
Komentet për operacione të kufizuara, Obama i bëri pas konferencës për shtyp të Sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili sqaroi se raportet e shërbimit të zbulimit konfirmojnë përgjegjësinë e qeverisë siriane për ngjarjen e rëndë.
Por shumë shpejt pas deklaratës së presidentit amerikan, dhënë në vazhdën e një takimi me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare, nga Moska mbërriti reagimi i shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. Presidenti rus i cilësoi “krejtësisht absurde” pretendimet amerikane të përdorimit të armëve kimike nga regjimi në Siri dhe sfidoi Uashingtonin të paraqesë prova konkrete.
Rusia, aleate kyçe e Damaskut zyrtar, ka paralajmëruar se çdo veprim i njëanshëm që përjashton Këshillin e Sigurimit të OKB-së, do të përbente shkelje të ligjit ndërkombëtar. Bashkë me Kinën, ajo ka bllokuar deri më tani me veto dy draft-rezoluta të mëhershme për Sirinë.
Top Channel