Trishtim në Itali/ Ndahet nga jeta gazetarja dhe ish-eurodeputetja Barbara Spinelli
Një studim ndërkombëtar ka identifikuar një tjetër zonë të Sardenjës ku jetëgjatësia e grave është jashtëzakonisht e lartë. Bëhet fjalë për Bolotanan, një qytezë me rreth 2 mijë banorë në provincën e Nuoros.
Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Aging”, gratë në këtë komunitet kanë një mundësi dukshëm më të lartë për të arritur moshën 100 vjeç krahasuar me gratë në pjesën tjetër të Italisë. Në kërkim kanë marrë pjesë, ndër të tjera, studiues nga Universiteti i Sassarit dhe University of Illinois Chicago.
Fenomeni është veçanërisht interesant sepse Sardenja prej dekadash është në qendër të kërkimeve mbi jetëgjatësinë. Por në Bolotana, faktorët demografikë duket se janë veçanërisht të favorshëm për gratë.
13.8% mundësi për të arritur 100 vjeç
Të dhënat tregojnë se gratë që arrijnë moshën 70 vjeç në Bolotana kanë një jetëgjatësi mesatare edhe 21 vite të tjera, rreth dy vite më shumë se gratë në pjesën tjetër të Italisë.
Por diferenca bëhet edhe më e dukshme kur analizohen shanset për të arritur moshën 100 vjeç.
Sipas studimit, një grua 70-vjeçare nga Bolotana ka 13.8% probabilitet të arrijë moshën 100 vjeç, ndërsa në pjesën tjetër të Italisë kjo shifër është rreth 3.5%.
Në vitin 2024, në këtë komunitet ishin gjashtë persona që kishin kaluar moshën 100 vjeç, një shifër që i shtyu studiuesit të hetonin më thellë historinë demografike të zonës.
Studiuan mbi 100 vite histori
Studiuesit analizuan të dhënat e gjendjes civile dhe regjistrat e famullive, duke rindërtuar më shumë se një shekull të historisë demografike të komunitetit.
Rezultatet sugjerojnë se gratë e Bolotanës mund të jenë ndër grupet femërore me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me tregues që në disa raste tejkalojnë edhe ata të komunave të tjera të njohura të “Blue Zone” në Sardenjë.
Cili është sekreti i jetëgjatësisë?
Megjithatë, ata kanë identifikuar disa faktorë që mund të luajnë rol. Mes tyre janë trashëgimia gjenetike, një mënyrë jetese aktive dhe lëvizja e përditshme në këmbë. Edhe dieta konsiderohet e rëndësishme, pasi ushqimi tradicional bazohet kryesisht në produkte bimore dhe ushqime të prodhuara lokalisht.
Një tjetër faktor i rëndësishëm mund të jetë kohezioni i fortë social. Në komunitetin e vogël, marrëdhëniet mes banorëve janë të ngushta dhe izolimi social duket të jetë më i rrallë.
Sipas studiuesve, kombinimi i këtyre faktorëve mund të ofrojë të dhëna të vlefshme për mënyrën se si mund të promovohet një jetë më e gjatë dhe më e shëndetshme edhe në komunitete të tjera.
Top Channel