Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaron se mirëpret ministrat e sapozgjedhur të kabinetit të ri të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Në një deklaratë për shtyp, ambasada vlerëson me nota pozitive emërimin dhe caktimin e një numri më të madh grash në dikasteret kyçe të qeverisë.
“Përfshirja e ministreve pasqyron një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe gjinore brenda udhëheqjes politike të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Ambasada e SHBA nënvizon se pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e ardhshëm të Ministrave në zbatimin e axhendës së reformave për të arritur synimet e Shqipërisë për integrimin europian.
“Shumë prej ministrave të caktuar kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara”, vlerëson më tej ambasada, e cila shton:
“Gjithashtu, presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë”.
Top Channel