PS, akuza për ndërtimet pa leje

02/08/2013 00:00

Nga selia e PS, Artan Lame ka denoncuar atë që ai e quajti vijimin e kërdisë me territorin në zonat publike.

“Po bëjnë letra falso, po shtojnë numra protokollesh, po nxjerrin vendime postum, etj. Kanë edhe një e muaj e ca kohe të bejnë kërdinë, por në shtator mekanizmi pervers që kanë krijuar, do të ndalet dhe zbërthehet përgjithmonë. Qeveria e re do të mbajë premtimin e bërë. Ne do të legalizojmë falas shtëpitë e shqiptarëve në zonat informale, përkundrejt një programi të detajuar që do ta paraqesim brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Por nga ana tjetër ne nuk do të legalizojmë asgjë në vijën bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllim fitimi kudoqofte, brenda në qytete apo anash rrugëve kombëtare”, tha Lame.

Artan Lame rënditi një sërë zonash ku ndërtimet pa leje vijojnë për të cilat tha se do të penalizohen  ashpërsisht ata që vazhdojnë të masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime të paligjshme në zonat e ndjeshme. Sipas zotit Lame përsa i përket situatës së hapësirave të gjelbërta të Tiranës, me trishtim shohim tha ai, se të gjitha parashikimet dhe denoncimet e bëra prej nesh dhe shoqërisë civile, po vërtetohen njëri pas tjetrit.

“Denoncuam shkatërrimin e Parkut të Kopshtit Botanik dhe shkatërrimi ndodhi, denoncuam shkatërrimin e Parkut të Liqenit dhe shkatërrimi ndodhi, edhe përgjatë rrugës së Elbasanit, edhe prapa godinës së Universitetit. Denoncuam shkatërrimin e Parkut Historik të Namazgjasë dhe shkatërrimi ndodhi, denoncuam shkatërrimin e Lulishtes tek Shtëpia e Oficerëve dhe shkatërrimi ndodhi. Sot po denoncojmë shkatërrimin e radhës që po përgatit Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, shkatërrimin e Parkut të Lodrave “7 Xhuxhat”. Për asnjë prej denoncimeve të mësipërme, Bashkia e Tiranës nuk pati kurajon të zbatonte detyrimin ligjor për të informuar qytetarët dhe të përballej me reagimin normal të tyre ndaj këtij shkatërrimi”, shtoi ai.

Artan Lame tha se në shtator Kryeministri do të paraqesë në Kuvend “Paketën e emergjencës kombëtare për territorin” dhe do të shpallë një nga betejat madhore të Qeverise së re: betejën e kthimit të pushtetit të qytetarëve mbi territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bashkia akuzon Ramën
Për 11 vjet betonizoi hapësirat e gjelbra të Tiranës

Bashkia e Tiranës reagoi menjëherë pas akuzave të Artan Lames, duke akuzuar kreun e PS, Edi Rama për shkatërrimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet gjatë 11 viteve që ai ishte kryetar bashkie. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja Anila Bisha deklaroi se Tirana ka sot planin urbanistik me të cilin do të zhvillohet qyteti.

“Ata që betonizuan e shkatërruan hapësirat e gjelbra për 11 vjet me aferat korruptive, sot akuzojnë bashkinë e Tiranës. Ata që betonizuan mijëra metra katrorë për përfitime të majme, sot po hanë turpin me bukë dhe po hedhin baltë ndaj bashkisë. Tirana ka sot planin e saj urbanistik me të cilin do të zhvillohet qyteti, sepse sot Tirana nuk udhëhiqet më nga interesat e Ramës, por nga interesat e qytetarëve të saj”, deklaroi Bisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA