Berberi: BSH, përgjegjëse për krizën

17/07/2013 00:00

Ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi deklaron se Banka e
Shqipërisë është bashkëpërgjegjëse me Qeverinë për krizën e rëndë të
financave publike.

“Banka e Shqipërisë asnjëherë nuk ka folur apo nuk e ka penguar Qeverinë që të bëjë ‘de facto’ tejkalim të defiçitit buxhetor, i cili trashëgohet pastaj në borxhin publik dhe situata e këtij viti është nga më të rëndat në historinë e financave shqiptare”, tha Berberi.

Në gjashtë muajt e parë të vitit Qeveria ka ezuaruar 83 për qind të defiçitit buxhetor dhe 90 për qind të huamarrjes së brendshme. Zonja Berberi thotë se Banka Qendrore i kishte të gjitha instrumentat ligjorë për ta ndalur këtë situatë.

“Instrumenti i parë është padyshim ai i transparencës dhe instrumenti i bërjes publike; instrumenti i dytë është përdorimi i strukturave dhe organeve në të cilat dy palët kanë detyrimin për të dhënë llogari, siç ishte parlamenti deri në momentin që ai u shpërnda për zgjedhjet dhe instrumenta të tjerë kanë të bëjnë me krijimin e pengesave të duhura ligjore që Qeveria mos vazhdojë të shpenzojë më tej seç është ai që është limiti i parashikuar”, tha Berberi.

Vetë të dhënat zyrtare dëshmojnë se treguesit e buxhetit kanë dalë jashtë kufijve ligjorë. Në gjashtë muajt e parë, mosrealizimi i të ardhurave është rreth 17 miliardë lekë, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se shifra vjetore mund të shkojë mbi 40 miliardë lekë.

“Ky mosrealizim i të ardhurave, i cili instrumentat e menaxhimit të shpenzimeve publike në kushtet kur jemi përpara periudhës ‘de facto’ sepse 6-mujori është shpenzuar, do ta bëjnë shumë më të limituar mundësinë e qeverisë që do të vijë për të rregulluar shpenzimet, kështu që rezultati duhet të jetë që fundi i treguesve të vitit 2013, nuk mendoj se do të ketë mundësi të respektojë nivelin e huamarrjes së brendshme, ashtu siç nuk do të ketë mundësi të respektojë edhe nivelin e deficitit. Të gjitha këto do të reflektohen tek borxhi publik”, tha Berberi.

Zyrtarisht borxhi publik i Shqipërisë vlerësohet 63.9 për qind. Por shthurja e buxhetit këtë vit dhe borxhet e fshehura mund ta çojnë shifrën reale në nivele shumë më të larta. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA