Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me pengimin që iu bë ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, për të hyrë në ndërtesën e Kuvendit për të marrë pjesë në seancën e ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Sipas së përditshmes kosovare “Zëri”, DASH ka thirrur në një takim ambasadorin e Kosovës në Uashington, Akan Ismajli për t’u ankuar për dështimin e shtetit të Kosovës në dhënien e sigurisë së nevojshme ambasadores Jacobson.
Një ditë më parë, që prej orës 9 të mëngjesit lëvizja Vetëvendosje protestoi kundër ratifikimit të marrëveshjes, duke bllokuar të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës.
Policia u përplas me protestuesit në hyrjen mbrapa selisë së Kuvendit, teksa përpiqej t’i largonte ata për të mundësuar hyrjen e disa deputetëve dhe ambasadores Jacobson.
Më pas ambasada lëshoi një komunikatë për shtyp ku e dënonte këtë veprim të Vetëvendosjes, duke thënë se me anë të kësaj sjelljeje kjo lëvizje po dëmton reputacionin e Kosovës.
Gjatë përplasjeve me policinë u arrestuan të paktën 68 protestues të Vetëvendosjes si dhe u lënduan 17 policë. Tensione pati edhe në sallën e Parlamentit, ku deputetët e VV kundërshtuan paktin e 19 prillit dhe i morën me forcë mikrofonin kryetarit Jakup Krasniqi, i cili do të niste votimin e amandamenteve të projektligjit.
Top Channel