Muller: Jam gjenial në ndeshjet e mëdha

24/04/2013 21:55

Thomas Muller zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Barcelonës në fitoren 4-0 të ditës së martë dhe deklaroi se në ndeshjet e forta, ai gjithmonë lë shenjën e tij.

“Jam gjenial në ndeshjet e mëdha. Ndeshjet ndaj ekipeve modeste i kam të vështira, ndërsa në supersfida luaj në mënyrë të mrekullueshme”, theksoi vetë 23-vjeçari.

Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampioneve ofronte yje si Messi, Xavi, Iniesta, Ribery dhe Robben, por të gjithë u lanë në hije nga performanca e Muller. Mesfushori gjerman shënoi 2 gola, dha një asist dhe u shpall lojtari më i mirë i supersfidës gjermano-spanjolle.

“Jemi në një moment të mirë. Të gjithë po luajmë shumë mirë, pa përjashtim. Pas kësaj ndeshjeje do të shkoj në stërvitje, do të festoj pak dhe do të mendoj për ndeshjen e radhës në kampionat”, shtoi Muller, i cili zbulon sekretin e tij.

“E dija që ndaj Barcelonës do të zhvilloja një ndeshje të mirë nëse do të vrapoja 13 kilometra.”

Top Channel