FRD prezanton programin politik

04/03/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike ka prezantuar programin e saj qeverisës, por që, për kreun e kësaj partie, është e hapur për çdo reflektim dhe sugjerim nga grupet e interesit dhe qyetarët, pas një komunikimi intensiv me ta, siç Bamir Topi tha gjatë këtij prezantimi.

Duke e konsideruar qeverisjen e mazhorancës aktuale dhe vetë PD-në, se nën drejtimin e Sali Berishës kanë zhgënjyer dhe kanë militantizuar çdo aspekt të jetës shoqërore, Topi premtoi se FRD ka një program ambicioz, që zgjidh disa nga çështjet që politika i ka mbajtur peng gjatë 22 viteve.

“Brenda mandatit të parë FRD do të zgjidhë përfundimisht çështjen e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës. Premtojmë shlyerjen e dëmshpërblimit financiar për të burgosurit dhe të përndjekurit politikë brenda 3 viteve. Pjesë e angazhimit politik është nisma ligjore për hapjen e dosjeve të kohës së diktaturës dhe për reformimin organik e funksional të institucioneve aktuale shtetërore, që trajtojnë problematikën e ish të përndjekurve politikë”, tha Topi.

Megjithë një sërë zgjidhjesh, që jep programi i kësaj partie edhe për politikat sociale, Topi tha se FRD është një parti e djathtë dhe nuk do të ndryshojë, pavarësisht se kujt nuk i pëlqen kjo, tha ai. Por, pavarësisht kësaj, kjo forcë politike do të jetë në qeverisjen e pas 23 qershorit.

“Fryma e Re Demokratike mund të quhet që sot, surpriza e zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, ditë kur për ne nuk mbaron, por fillon puna për të jetësuar premtimet elektorale dhe për t’i kthyer besimin qytetarëve te politika e qytetarit, tek institucionet dhe te shanset e mëdha për një Shqipëri me demokraci funksionale, me shtet të së drejtës, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Europian. Fryma e Re Demokratike, në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, do të jetë një forcë vendimmarrëse në parlament dhe në qeveri”, shtoi Topi.

Programi i FRD-së pas konsultimit qytetar do të miratohet nga kuvendi i parë i kësaj partie, që do të mblidhet në muajin prill.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA