Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka kërkuar “veprime të menjëhershme” kundër Koresë së Veriut, vetëm 2 ditë pas testit të tretë bërthamor të kryer nga vendi komunist.
Panetta ka ritheksuar domosdoshmërinë, që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të aprovojë “sanksionet shtesë” kundër regjimit të Penianit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Pentagonit, George Little, i cili i është referuar bisedës telefonike mes Panetta-s dhe homologut të tij koreano-jugor, Kim Kwan-Jin.
Koreja e Veriut kreu vetëm pak ditë më parë testin e tretë “të suksesshëm” bërthamor në 7 vitet e fundit.
“Pohojmë kryerjen me sukses të një testi bërthamor ku u përdor një mbushje bërthamore më e vogël, por më e fuqishme se e para. Testi u realizua me sukses në një zonë sekrete dhe nga shpërthimi nuk pati asnjë dëm ekologjik”, deklaroi ditë më parë televizioni shtetëror koreano-verior, KCNA.
Vendet e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar dyshojnë se objektivi i vendit komunist është prodhimi i një mbushje bërthamore në përmasa të mjaftueshme për t’u transportuar nga një raketë me rreze të gjatë veprimi, që deri më sot besohet se Peniani nuk ka mundur ta realizojë dot.
Dyshimet e para për kryerjen e testit lindën pas raportimit të instituteve gjeo-sizmike amerikane dhe koreano-jugore për aktivitet sizmik, pikërisht në zonën ku vendi komunist ka kryer dy testimet e para nukleare.
Top Channel