Meksikë, 25 të vdekur nga shpërthimi

01/02/2013 07:00

Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur në selinë e kompanisë shtetërore të naftës, Pemex, në kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, duke lënë 25 të vdekur dhe 100 të plagosur, siç bëjnë të ditur zyrtarë të kompanisë.

“Një shpërthim ndodhi në ndërtesën B2 të qendrës administrative”, u bë e ditur nga Pemex në Twitter. “Ka shumë të plagosur dhe shkatërrime në katin përdhes dhe atë të ndërmjetëm”, thuhej aty. Shkaku i shpërthimit nuk dihet ende.

“Kemi 24 të vdekur në vendngjarje dhe 1 tjetër ka ndërruar jetë në spital”, tha ministri i Brendshëm.

Pamjet televizive treguan rrënojat e ndërtesës së përhapura në rrugën përpara ndërtesës, si dhe ambulancat e Kryqit të Kuq në vendngjarje, duke iu ofruar ndihmë të plagosurve.

Në këto momente nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për shpërthimin, bëjnë të ditur korrespondentët e huaj.

Gati 100 persona janë plagosur në shpërthimin e ndodhur në Kullën Ekzekutive të Pemex, e lartë 54 kate, tha një zyrtar i emergjencave lokale për gazetarët.

Disa prej tyre u bllokuan nën rrënoja pas shpërthimit, citohen të kenë thënë zyrtarët.

Suvaja ka rënë nga tavani i bodrumit dhe situata ishte “delikate”, tha një tjetër zëdhënës i shërbimeve emergjente për Reuters.

Të afërm të punonjësve janë mbledhur jashtë ndërtesës, në kërkim të informacioneve për të njerëzit e tyre. Disa prej tyre janë munduar t’i kontaktojnë përmes celularëve, por nuk kanë marrë përgjigje.

Edhe presidenti i vendit, Enrique Pena Nieto, dhe kryebashkiaku i Mexico City-t, Miguel Angel Mancera, kanë shkuar në vendngjarje. Nieto tha se grupet e shpëtimit të Pemex janë duke punuar së bashku me autoritetet e qytetit për të ndihmuar të plagosurit.

“Ndihem shumë keq për ata që kanë humbur jetët. I shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të tyre”, tha Nieto. “Në këtë moment, prioritet është të ndihmojmë të plagosurit dhe të sigurojmë sigurinë fizike të atyre që punojnë në këtë kompani”, shtoi ai.

Presidenti tha se ka udhëruar nisjen e hetimeve për shkaqet e shpërthimit.

Pemex ka kaluar një seri aksidentesh gjatë viteve të fundit. Shtatorin e kaluar, 30 persona vdiqën nga një shpërthim në impiantin e gazit të Pemex, në veri të Meksikës. Shpërthim vdekjeprurës në impiantin e gazit në qytetin verior të Reynosa-s, u tha se u shkaktua nga grumbullimi i gazit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA