Irani: Do avancojmë pasurimin e uraniumit

31/01/2013 00:00

Irani ka njoftuar Agjencinë e OKB për Energjinë Bërthamore se planifikon
të avancojë centrifugat për pasurimin e uraniumit në impiantin e
Natanzit. Lajmin e bënë të ditur disa diplomatë iranianë.

Lëvizja do t’i mundësojë vendit islamik të rafinojë uraniumin në një shkallë më të shpejtë, duke rritur frikën e Perëndimit për synimet e vërteta të Teheranit.

Republika Islamike insiston se programi i saj bërthamor ka vetëm qëllime paqësore, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët druhen se ajo po përpiqet të prodhojë bombën bërthamore.

Plani iu paraqit ANEB-së përmes një letre dërguar më 23 janar. Në letrën në fjalë përmendet një model centrifuge, e quajtur IR2m, që mund të pasurojë uranium dy ose tre herë më shpejtë se pajisjet aktuale që përdor Teherani.

Nga ana e saj ANEB u dërgoi një letër shteteve anëtare për t’i informuar se Irani ka ndërmend t’i përdorë makinat e avancuara në impiantin e Natanzit, bën të ditur agjencia “Reuters”.

“Sekretariati i Agjencisë mori një letër nga Teherani, më datë 23 janar 2013, ku informonte se centrifuga të tipit IR2m do të përdoren në njësinë A-22 në impiantin e Natanzit”, ka njoftuar ANEB.

Impianti në fjalë, që ndodhet në qendër të Iranit, është pika e përplasjes mes vendit islamik dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, ditën e enjte shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton deklaroi se beson se negociatat për çështjen bërthamore do të rifillojnë së shpejti.

Top Channel