Pas Gerard Depardieu, edhe aktorja e famshme franceze Brigitte Bardot kërcënoi se do të braktisë Francën. Por kësaj here, arsyeja nuk janë taksat, por kafshët.
Aktorja deklaroi se do të kërkojë nënshtetësinë ruse nëse autoritetet vendosin të praktikojnë eutanazinë për dy elefantë të sëmure në Lion. Gjithçka mësohet përmes një komunikate të firmosur nga Bardot, e njohur për mbrojtjen e kafshëve.
“Nëse ata që kanë pushtet do kenë paturpësinë të vrasin dy elefantët Babi dhe Nepal, atëherë unë do të kërkoj nënshtetësinë ruse për t’ia mbathur nga ky vend, që aktualisht nuk është gjë tjetër veçse një varrezë kafshësh”, deklaroi Bardot.
Historia e dy elefantëve në Kopështin Zoologjik “Tet Dor” të Lionit ka përfshirë të gjithë vendin prej mesit të dhjetorit. Sipas autoriteteve, Bebi dhe Nepal përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e kafshëve dhe vizitorëve dhe urdhëruan eleminimin e tyre.
Por drejtori i cirkut, përmes një peticioni kërkoi shpëtimin e tyre, peticion që u nënshkrua nga mijëra njerëz. Edhe Brixhit Bardo iu bashkua kësaj fushate. Ajo i shkruajti një letër presidentit francez, Fransua Holond, ne fillim të javës, duke kërkuar ndërhyrjen e tij.
Pasi nuk mori asnjë përgjigje, vendosi të bënte këtë deklaratë. Bardo nuk njihet vetëm për dashurinë e saj për kafshët, por edhe për deklaratat shumë të debatueshme për fenë islame dhe besimtarët muslimanë.
Reagimi i saj vjen një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin i dha pasaportën ruse aktorit të famshëm Zherard Depardje. Ai kishte shprehur mbështetjen e tij për ish-presidentin francez Nikola Sarkozi, gjatë zgjedhjeve, më pas vendosi të braktiste Francën, pas reformës fiskale të propozuar nga presidenti Fransua Holond, që parashikonte taksa deri në 75% për të ardhurat mbi 1 milionë euro në muaj.
Top Channel