Presidenti amerikan, Barack Obama ngarkoi zv.presidentin Joe Biden për hartimin e reformave të nevojshme në legjislacionin për armë-mbajtjen për të shmangur të tjera tragjedi si ajo e ndodhur të premten e kaluar në qytezën e Njutaunit.
Obama tha se do të ngrihet një task force për reformën e caktuar dhe në krye të kësaj task force do të jetë pikërisht zv.presidenti Biden.
“Duhet të ndërmarrim masat e duhura për të siguruar fëmijët tanë dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithcka kemi në dorë për të siguruar jetën e fëmijëve tanë, ndaj jam i sigurtë se brenda një muaji, Joe Biden do të përfundojë detyrën e tij me propozime konkrete”, tha Obama.
Debati për armë-mbajtjen është rindezur në Shtetet e Bashkuara pas çmendurisë së Adam Lanza-s, 20-vjeçari që pasi ekzekutoi të ëmën në shtëpinë e tij, u drejtua i armatosur me dy pistoleta gjysmë-automatike, një pushkë dhe një shotgun drejt shkollës fillore të Njutounit, ku masakroi 20 fëmijë nga 5-10 vjeç dhe 6 të rritur, 4 nga të cilat pjesëtare të stafit pedagogjik të shkollës. Më pas 20-vjeçari u vetëvra.
Raporti përfundimtar i autoriteteve amerikane për tragjedinë nuk kanë dalë ende, por ajo që dihet është se Lanza vuante nga një formë e lehtë e autizmit dhe kishte varësi ndaj video-lojërave kompjuterike të dhunshme.
Top Channel