NATO: OK raketave në Turqi

04/12/2012 00:00

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s miratuan kërkesën e Turqisë për të vendosur sisteme anti-raketë Patriot në kufirin e Turqisë me Sirinë.

Lajmi njoftohet nga një zëdhënës i Aleancës në përfundim të takimit disa-orësh në Bruksel të kryediplomatëve të vendeve anëtare. Megjithatë, Holandës dhe Gjermanisë do t’u duhet të kalojnë propozimin në parlament në mënyrë që të ketë një mbështetje përfundimtare.

Vendimi vjen në një kohë kur SHBA dhe ndërkombëtarët i druhen përdorimit të armëve kimike që regjimi i Assad zotëron.

Presidenti amerikan paralajmëroi presidentin sirian se nëse do të përdorte armë kimike, do të mbante përgjegjësi personale për to. Por Damasku ka mohuar pretendimet se zotëron armë kimike, dhe shtoi se edhe nëse do të zotëronte arsenal të tillë armësh, kurrësesi nuk do t’i përdorte kundër popullit të vet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA