Greva, frikë për ndërhyrjen e policisë

10/10/2012 00:00

Pas Gjergj Ndrecës, një tjetër ish-i burgosur politik i vuri flakën vetes. Ai është Lirak Beko, 47 vjeç dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në QSUT, pasi u dogj rëndë në 50 për qind të trupit të tij nga zjarri që i vuri vetes.

Grevisti që tentoi vetëflijimin pak ditë më parë bisedoi me ambasadorin Aleksander Arvizu, gjatë vizitës që ai kreu në ambjentet e grevës.

Pak minuta pas orës 12.00, Lirak Beko, grevist i urisë, doli nga çadra ku janë grevistët e tjerë, hodhi benzinë mbi trup dhe në fund u vetëndez. Grevistët e tjerë vrapuan që të shuanin flakët që e pushtuan menjëherë në të gjithë trupin.

Për pak sekonda flakët e dëmtuan rëndë grevistin. Gjithashtu, ka marrë plagë të rënda dhe një tjetër grevist që iu hodh sipër me një batanije për të shuar flakët.

Një autoambulancë e dërgoi grevistin Lirak Bejko për në spital ku ndodhet edhe Gjergj Ndreca, edhe ai i djegur me benzinë dhe me plagë të rënda në trup për shkak të flakëve.

Ndërkohë, policia ka zbarkuar në vendin e grevës dhe ka nisur kontrollet për të gjetur dhe larguar nga ambjentet shishe me lëndë djegëse apo mjete të tjera me të cilat grevistët mund të lëndojnë veten.

Ata më herët kishin paralajmëruar se kanë si plan të digjen të gjallë me benzinë në shenjë proteste ndaj indiferencës së kërkesave të tyre.

E gjithë tenda është e rrethuar nga forca të shumta policie, të cilat kontrollojnë këdo nga të afërmit e grevistëve që vjen për të marrë kontakt me ta.

Ndërkohë që gjendja psikologjike e tyre në ditën e 19-të, pas ngjarjes së dytë të rëndë, është akoma edhe më e rënduar. Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, anëtarët e së cilës janë në grevë urie, shprehet se do të ketë edhe raste të tjera.

Greva, frikë për ndërhyrjen e policisë

Ndërkohë pranë ambjenteve të grevës kanë nisur të qarkullojë edhe më
shumë zërat se në orët në vazhdim mund të ketë një ndërhyrje të policisë
për të mbyllur grevën.

Gjatë mbrëmjes ish-të përndjekurit shprehën shqetësimin se gjatë natës mund të ketë një ndërhyrje të uniformave blu për t’i larguar ata nga mjediset ku janë ngujuar.

“Po tentojnë të nxjerrin jashtë grevistët. I bëj thirrje kryeministrit që të heqë dorë nga presionet dhe nga deklaratat se greva është politike. Kjo është një grevë ekonomike, këta njerëz e mbajtën 20 vjet në pushtet Berishën”, deklaroi kreu i Shoqatës së të Burgosurve politikë, Skënder Tufa.

Mjekët: Bejko në gjendje të rëndë

Disa orë pasi grevisti Bejko mbërriti në spital, mjekët thanë se gjendja vazhdon të jetë e rënduar. Sipas tyre, ai ka djegie të gradës së tretë dhe se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

“Pacienti është djegur në 50 për qind të trupit, kryesisht është në gradën e tretë dhe në disa pjesë në të dytën. Ai është dëmtuar shumë në anësitë e sipërme. Po merr mjekim ambulator, por është në rrezik për jetën”, deklaroi mjeku animator Ilir Nezhaj.

Arvizu dhe BE: Jemi të shqetësuar

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë një ceremonie në rezidencën e tij ka bërë komente mbi ngjarjet e fundit në grevën e ish-të burgosurve politikë.

“Jam i shqetësuar për atë që ndodhi me vetëflijimin. Ishte një gjë e trishtuar”, tha zoti Arvizu, duke vijuar më tej se “do të mendojmë për një reagim gjatë gjithë natës se si mund të dilet nga kjo gjendje”.

Një deklaratë për grevën ka dhënë edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me shefat e Misioneve të BE-së që veprojnë në Tiranë.

“Delegacioni i BE-së shpreh keqardhjen dhe shqetësimin në vijim të incidenteve serioze që ndodhën më 8 dhe 10 tetor gjatë grevës së urisë nga një grup ish-të persekutuarish dhe ish-të burgosurish politikë”, thuhet në deklaratë.

“Delegacioni i BE-së u bën thirrje palëve të mos e shfrytëzojnë këtë situatë të dhimbshme për qëllime politike. Delegacioni i BE-së mban shënim ekzistencën e planit të kompensimit sipas ligjit të vitit 2007 dhe bën thirrje për dialog për të trajtuar rastet individuale të cilat ky plan nuk i zgjidh”, vijon më tej dokumenti. 



Greva, Berisha s’ndryshon qëndrim

Nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje kryeministri Sali Berisha për plotësimin e kërkesave të ish-të përndjekurve, ndërsa janë shënuar dy raste në tre ditë të vetëdjegies së tyre.

Ajo që kryeministri garantoi ishte vetëm zbatimi me rigorozitet i rregullave të grevës së urisë, për të cilat u zotua se do të përmirësohen. Kontrolli do të jetë më i rreptë, tha ai, dhe do të mbajnë përgjegjësi ata që kanë lejuar hyrjen e benzinës në këto ambjente.

“Ka ptur një shkelje mbrëmë dhe është futur benzinë bashkë me ujë, gjë që s’mund të ndodhë më, dhe përgjegjësit duhet të nxjerrin përgjegjësitë. Në rastin e parë, ai që i vuri flakën shokut, është një kriminel dhe duhet të përballet me ligjin”, deklaroi Berisha.

Në koment të kërkesave të tyre ekonomike, kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka pasur standartin më të lartë të dëmshpërblimit. 18.6 dollarë për ditë burgu, janë ndërtuar 2.000 apartamente për ish-të përndjekurit dhe janë dhënë afro 20 mijë bursa studimi për fëmijët e tyre. Si shembull, kryeministri mori Gjergj Ndrecën, drejtuesin e grevës së urisë i cili kreu i pari aktin e vetëdjegies.

“Të marrim rastin e zotit Ndreca, të cilit i uroj shërim. Ai ka marrë fabrikën e miellit në Laç, ka marrë kredi të butë për fermën e derrave. Por ka marrë kredi dhe s’ka paguar dot bankën, ia ka marrë banka fabrikën”, sqaroi Berisha.

Në përforcim të qëndrimit se nuk ka asnjë hapësirë për shqyrtimin e kërkesave të ish-të përndjekurve, kreu i qeverisë tha se greva e tyre është politike. “Protesta e tyre është e mirëfilltë politike, por kjo është një zgjedhje e tyre që unë e respektoj”, vijoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA