Kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, është shprehur i gatshëm që të mbështesë rivalin e tij politik, liderin e BDI-së Ali Ahmetin, për të bllokuar projekt/ligjin e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE-së, i cili u garanton të drejta të veçanta vetëm ushtarëve maqedonas pjesmarrës në konfliktin e vitit 2001 dhe përjashton ushtarët e UÇK-së.

“Unë seriozisht do t’i mbështes tentimet e BDI-së për ta parandaluar sjelljen e këtij ligji shumë të keq dhe seriozisht nëse ata mendojnë se ky proces mund të bllokohet përmes zgjedhjeve të parakohshme jam i gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë dhe të shohim si do të dalim prej kësaj situate. Variante tjera nuk preferoj”, tha kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

I pyetur nëse kriza në koalicon është serioze apo e inskenuar mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar për përfitime politike, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi u përgjigj:

“Nuk e di. Shumë shaka kanë bërë mes tyre, por shakatë me raportet ndërnetike, janë të rrezikshme dhe të turpërojnë. Veç fjala e Ministrit të Mbrotjes Fatmir Besimi se shpreh keqardhje është tentim për manipulim të të dy opinioneve, shqiptarëve dhe maqedonasve. Ai i kërkoi falje maqedonasve pse na kanë vra. Fjalia keqardhje ka kuptim të pendimit për atë që e ke bërë, ndërsa kur kërkon falje kërkon falje për një gabim. Por, ti lëmë këto, unë mendoj se pas 4 viteve mandat që kishin, seriozisht duhet të qëndrojnë këtë herë”, tha ai.

Projekt-ligji i VMRO-DPMNE-së u dorëzua në Parlament si kundërpërgjigje ndaj përkuljes së Ministrit të Mbrotjes nga radhët e BDI-së Fatmir Besimi pranë bustit të dëshmorëve të UÇK-së. BDI reagoi duke u kërcënuar se do të braktisë qeverinë nëse në ligj nuk përfshihen edhe ushtarët e UÇK-së, ndërsa kryeministri Gruevski u përgjigj se nuk do të lejojë askën që të shkelë dinjitetin e qytetarëve maqedonas, duke i quajtur ushtarët e UÇK-së, grupe ekstremiste.

Kriza në koaliconin qeveritar në Shkup po ndodh në kohën kur në Maqedoni po qëndron zv/ndihmësi i Sekretarit Amerikan i Shtetit Filip Riker, i cili takoi të enjten liderët e opozitës, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Branko Cervenkovskin e LSDM-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA