Thellohet skandali i “Lotarisë”

20/06/2012 00:00

Përmes një letre që mban që mban datën 19 qershor presidenti i kompanisë
turke ‘Inteltek’, Ahmet Sezer, i drejtohet ministrit shqiptar te
Financave, duke shprehur shqetësim të thellë për praktikën jokonkurruese
të ndjekur nga qeveria shqiptare per tenderin e Lotarisë Kombëtare.

Në letrën e tij presidenti i kompanisë turke thotë: “Ne jemi informuar se Ministria juaj ka lancuar tenderin për dhënien e licensës së Lotarisë Kombëtare dhe për procedurat e aprovuara. Me shqetësim të madh vëmë re se procedurat nuk garantojnë një konkurrencë të plotë dhe të hapur  dhe as nxisin krijimin e të ardhurave për shtetin shqiptar.”

Letra e kompanisë turke që ka qenë e interesuar për të marrë pjesë në tenderin e Lotarisë Kombëtare në Shqipëri, por është skualifikuar për shkak të procedurave që po ndjek qeveria, ngre thuajse të njëjtat shqetësime të ngritura më parë nga një tjetër konkurrent i tërhequr, kompania greke “Intralot”.

Vec procedurave përjashtuese kompania turke ngre me shqetësim edhe çështjen e çmimit. Në letrën drejtuar ministrit shqiptar të Financave zoti Sezer shprehet: Më duhet të nënvizoj se kriteret e kualifikimit janë në mënyrë të pazakontë restriktive dhe pengojnë operatorët e aftë si “Inteltek”, që të marrin pjesë në tender. Po kështu metodologjia e vlerësimit që ju keni zgjedhur fokusohet në elemente me rëndësi të vogël duke neglizhuar elementin e çmimit, i cili është më i zakonshmi në koncesionet nëpër botë”. Letra e presidentit të kompanisë turke, e cila vitin e kaluar realizoi një xhiro prej 3 miliardë dollarë mbi 27 për qind e prodhimit kombëtar të Shqipërisë thellon dyshimet mbi licencën e lotarisë kombëtare.

Si rrallëherë në një tender publik qeveria ka lënë jashtë procesit të vlerësimit elementin e çmimit duke e paracaktuar atë në nivele minimale dhe mos u dhënë të drejtën kompanive të garojnë. Pavarësisht ankesave dhe denoncimeve nga operatorë gjigantë dhe me emër në këtë fushë qeveria nuk u tërhoq, por këtë të enjte e hapi tenderin për llotarinë në të cilin morën pjesë vetëm dy kompani.

Top Channel