Itali, në ndihmë të jetimit shqiptar

13/06/2012 02:15

Ka nisur ne Ancona një garë kundër kohës për të shpëtuar jetën e një fëmije shqiptar. Mediat lokale e më pas ato kombëtare i kanë dhënë jehonë rastit të Alketit, një fëmije 14 muajsh që ndodhet në jetimore e që ka nevojë për një ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale.

Njëzetmijë euro dhe maksimumi dy muaj kohë. Mjekët e spitalit të Ankonës kanë dhënë këto dy shifra që përmbledhin fatin e këtij fëmije, i lindur nga një përdhunim dhe i braktisur nga nëna e tij 14 vjeçare.

Shoqata “Le Patronesse”, e cila vepron pranë spitalit Salesi të Anconas, duket se ka vendosur t’i ndryshojë drejtimin e jetës së këtij femije fatkeq.

Operacioni është marrë përsipër nga specialistët e repartit të kardiokirurgjisë së spitalit rajonal Torrette. Ata bënë të ditur se operacioni duhet kryer sa më shpejt dhe se nëse fëmija operohet me sukses, në të ardhmen nuk do të ketë më probleme shëndetsore.

Ka shumë mundësi që më pas ai të adoptohet nga ndonjë familje në Itali.

Është hapur një llogari e posaçme prane rrjetit te bankave Unicredit.

Rasti i Alketit ka mallëngjyer Anconën, e zemra e tij e sëmurë pret tani ndihmë nga zemrat bujare të atyre që do të duan ta ndihmojnë, për të lënë kështu pas një fillim jete kaq të vështirë.

Top Channel