Moto GP, Rossi: Vështirë të arrij tjetër podium

30/05/2012 14:35

Valentino Rossi ka pranuar se do e ketë shumë të vështirë të ngjitet sërish në podium në garën e Katalunjës edhe pse pista e Montmelo është një nga të preferuarat e tij.

Piloti italian i Ducati u rendit në vendin e dytë në garën e Francës, por nuk beson tek përsëritja e një rezultati të tillë në garën e pestë të botërorit të Moto GP.

“Montmelo gjithmonë ka qenë një nga pistat e mia të preferuara, por vështirë të ngjitem në podium sërish. Gjithsesi duhet të bëjmë maksimumin për të qenë sa më pranë pilotëve kryesues”, u shpreh Rossi në deklarata të lëshuara për skuderinë e tij.

Në lidhje me vendin e dytë të arritur në Francë, Rossi ia dha meritën pistës së lagur: “Shfrytëzuam shiun dhe e dimë që në kushte të tilla jemi kompetitivë, por jemi të ndërgjegjshëm që duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në pistë të thatë.”

Gara e pestë e kalendarit të Moto GP do të zhvillohet të dielën në orën 14.00 dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel dhe në paketën Supersport të Digitalb.

Top Channel