Një tërmet i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e së martës veriun e Italisë, duke vrarë të paktën 17 persona dhe duke varrosur të tjerë nën gërmadha.
Sipas agjensisë së lajmeve “ANSA”, deri ne mbremje, përveç të vdekurve janë konfirmuar edhe 10 të zhdukur e 350 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Mbi 14 mijë persona kanë mbetur të pastrehë dhe pritet të kalojnë natën jashtë, ndërsa skuadrat e zjarrëfikëseve janë duke inspektuar rënojat për viktima e të mbijetuar të tjerë.
Gjendja përkeqësohet nga fakti se shumë prej ndërtesave që qëndruan në këmbë janë të dëmtuara dhe mund të deklarohen si të pasigurta për të qëndruar në to.
Disa tronditje të reja pasgoditëse janë regjistruar, disa prej të cilave të fuqisë 4-5 sipas shkallës rihter, duke u klasifikuar në tërmete të mesme dhe duke vendosur në rrezik strukturat tashmë të dëmtuara.
Origjina e tërmetit është lokalizuar në rajonin Emilia Romanja dhe sipas mediave lokale, fuqia e tij është vlerësuar 5.8 ballë, sipas shkallës rihter.
Epiqendra e tërmetit është lokalizuar konkretisht rreth 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në një thellësi prej 9.6 kilometrash.
Një thellësi kaq pranë sipërfaqes është e pazakontë për një tërmet dhe kjo ka bërë që ai të ndihet më shumë nga fuqia e tij e vërtertë.
Lëkundja është ndjerë edhe në qytetet Milano, Bolonja e Moneda, ku punonjës të sektorit publik janë evakuar nga ndërtesat, ndërkohë që në zona të tjera ka pasur shembje të pallateve të vjetra.
Tërmeti i sotëm vjen pas atij 6-ballësh të 20 majit, kur shtatë persona u vranë dhe shumë ndërtesa u shembën.
Ai tërmet shkatërroi disa godina shekullore dhe kulturore të Italisë, si dhe ishte më i rëndi që goditi vendin që prej tërmetit të vitti 2009 në Akuila, ku humbën jetën afërsisht 300 persona.
Me lëkundjet e së martës, bilanci i dëmtimeve në trashëgiminë kulturore rëndohet, ndërsa sipas të dhënave paraprake, të dy goditjet mund të kenë shkaktuar së bashku dëme prej disa qindra miliona eurosh.
Në një apel publik, kryeministri Mario Monti ka kërkuar solidaritet në këtë orë të vështirë, duke i bërë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë si të munden të goditurit.
”Dua të siguroj që shteti italian do të bëjë të pamundurën për të asistuar në kohën sa më të shkurtër dhe për të garantuar rikthimin në jetën normale për të gjithë të prekurit e kësaj zone, që është kaq e veçantë, e rëndësishme dhe thelbësore për vendin tonë”, deklaroi Monti.
Federata Italiane e Futbollit, bëri të ditur nëpërmjet një komunikate se një ndeshje miqësore me Luksemburgun, në kuadrin e përgatitjeve të Euro 2012 dhe që do të luhej në mbrëmje në Parma, është anulluar.
Top Channel